Quantcast
Channel: Mjeksia Profetike – Mjeksia Islame
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2650

Si ta përmbushësh ëndrrën tënde!

$
0
0
By: Dr Ibrahim Elfekij

Si ta përmbushësh ëndrrën tënde!


Cila është ajo gjë, të cilën dëshiron ta përmbushësh më shumë se çdo gjë tjetër në këtë botë?

Ndoshta, ëndrra jote ka të bëjë me gjetjen e një pune në profilin për të cilin je diplomuar, të udhëtosh anembanë botës, të shkruash një libër, të shpikësh diçka të re të cilën ke kohë që e bluan në mendjen tënde dhe që e ke zvarritur goxha. Shumë ide madhështore vdesin para se të lindin dhe kjo për dy shkaqe:

I pari, është ai që njihet me emrin “helmi i ëmbël”. Ky term më erdhi në mendje gjatë vizitës së kopshtit zoologjik, ku pashë një gjarpër shumë të bukur. Brenda kafazit ku jetonte gjarpri, ishte varur një pllakë mbi të cilën shkruhej “Rrezik”. Më bëri përshtypje fakti se kjo krijesë kaq e bukur, të kishte një helm aq të rrezikshëm. Sakaq, tek njerëzit, helmi i ëmbël nuk u vjen nga armiqtë e tyre dhe njerëzit e largët, por u vjen nga vetë njerëzit më të afërm, nga miqtë dhe njerëzit që dinë gjithçka rreth tyre, nga fqinjët dhe pjesëtarët e familjes. Po, sepse në përgjithësi, ata do të bëhen shkaku i dështimit dhe kjo nëpërmjet ironisë, talljes dhe përqeshjes së ideve, e sidomos kur shohin përpjekjet për ti vënë në jetë.

Ka njerëz të tjerë të cilët do i kritikojnë ëndrrat tona për shkak të xhelozisë dhe në përgjithësi ata që i kritikojnë ëndrrat tona, e bëjnë këtë në mënyrë të pavetëdijshme, duke u bazuar tek vlerat dhe bindjet e tyre personale, pavarësisht vlerave dhe bindjeve tona. Edhe pse këshillat e tyre mund të jenë të sinqerta, ato mund të shkaktojnë shumë pengesa dhe mund të na lëndojnë, njëlloj si në rastin e gjarprit të bukur por me helm vdekjeprurës.

Shkaku dhe pengesa e dytë në rrugën e përmbushjes së ëndrrave, është vetë njeriu, po, po, je ti vetë. Doktor Robert Sholer, në librin e tij “Fuqia e ideve” thotë:”Vendi i vetëm ku ëndrrat bëhen të pamundura është vetja jote.”

A të kujtohet ndonjëherë që ke dashur të bësh diçka të caktuar dhe ti kesh thënë vetes:”Jo, unë nuk mund ta bëj këtë!” duke e bindur veten se thjesht nuk e bën dot dhe mandej ke hequr dorë realisht? Çfarë të pengon ty, mua dhe çdo person tjetër që të mos i përmbushë ëndrrat e tij? Përgjigja e kësaj pyetje është me dy fjalë:”Zona e sigurisë”.

Zona e sigurisë përbëhet nga rituale të cilat i kemi ushtruar për një periudhë të mjaftueshme në mënyrë të përsëritur, të cilat na kanë falur rehati dhe siguri sa herë që i përsërisnim. Nëse kemi një ëndërr e cila na nxjerr jashtë zonës së sigurisë, ne ndjejmë ankth, humbasim qetësinë dhe bëjmë çmos derisa ta shmangim aktivitetin e ri. Njerëzit mund të të thonë se ideja jote s’ka asnjë vlerë dhe të ofrojnë disa shkaqe dhe arsye për të cilat kjo ide nuk do të ketë sukses. Por, në fund, vetëm ti e ke forcën për ta pranuar apo për ta refuzuar atë që thonë për ty.

Në librin “Të duhet vetëm një minutë për të ndryshuar jetën”, thuhet:”Nëse arrin ta formosh ëndrrën në mendjen tënde dhe ta mbjellësh në zemrën tënde, mos ua jep shansin dyshimeve që ta shuajnë atë, pasi ka shumë mundësi që kjo ëndërr të shndërrohet në një realitet.”

Kur isha shtatë vjeç, kisha dy ëndrra të mëdha:

E para, të bëhem kampioni i Egjiptit në pingpong, prandaj dhe ndiqja gjithë kureshtje ndeshjet e pingpongut, shkoja i pari në sallë dhe largohesha i fundit. Ndiqja çdo lëvizje të lojtarëve, duke ëndërruar të bëhem një ditë si ata. Disa vite më vonë, u regjistrova në një klub pingpongu por më refuzuan. U orvata të bëhem pjesë e 20 skuadrave, njëra pas tjetrës, por të gjithë më refuzonin. Më në fund, më pranoi një trajner i cili më tha:”Do të stërvit, por me një kusht: Të ushtrohesh gjashtë orë në ditë për një vit! Veç kësaj, nuk do të marrësh pjesë në kampionate, veçse pasi të sigurohem se je gati për diçka të tillë!”

E pranova kushtin pa as dhe hezitimin më të vogël. Filluan ushtrimet mendore dhe fizike, gjashtë orë në ditë. Pas gjashtë muajsh, trajneri më tha:”Tani je gati për eksperiencën e parë!” Për habinë e të gjithëve, zura vendin e parë në dy raundet e mbetura. Sezonin tjetër, zura sërish vendin e parë në të gjithë raundet, përfshirë dhe kampionatin kombëtar. Tashmë isha kampioni i Egjiptit. Mandej u zgjodha si përfaqësuesi i Egjiptit në kampionatin e pingpongut të organizuar në Gjermaninë perëndimore në vitin 1969. E përmbusha ëndrrën time për vetë faktin se besova se mund ta bëja diçka të tillë dhe ia arrita.

Ruzvelt ka pas thënë:”E ardhmja u përket atyre që i besojnë bukurisë së ëndrrave të tyre.”

Prandaj, fillo që sot, krijoje ëndrrën tënde, ose rikrijoje atë, ëndërro për ëndrra të mëdha. Mos krijo ëndrra të vogla, pasi ato nuk e kanë forcën e mjaftueshme për ti shtyrë njerëzit para.

Hapat drejt ëndrrave të fuqishme:

  1. Shkruaji në një letër dhjetë gjëra të cilat dëshiron ti përmbushësh.
  2. Shkruaji sipas rëndësisë që përbëjnë për ty, fillimisht më të rëndësishmen pastaj më pak të rëndësishmet.
  3. Ulu në një vend të qetë dhe të rehatshëm, ku nuk të shqetëson askush, për 15 minuta.
  4. Merr frymë ngadalë dhe sa më thellë, mbushi mushkëritë e tua me ajër. Me çdo frymënxjerrje, nxirr dhe tensionin nga trupi yt.
  5. Ulu në një vend të rehatshëm, mbylli sytë dhe fokusohu tek çdo pjesë e trupit tënd, imagjino sikur po zbret nga një lartësi me dhjetë shkallë. Në çdo shkallë që zbret, ndjen rehati dhe relaks më shumë.

Tek shkalla e parë, lëshoje veten, ndjeje relaksin dhe shkarkoje tensionin.

Tek shkalla e dytë, ndjen më shumë relaks dhe rehati.

Tek shkalla e tretë, ndjen që rehatia dhe qetësia të shtohet.

Në shkallën e katërt ndjehesh akoma më i relaksuar. Kështu vazhdon deri në shkallën e dhjetë, ku dukesh totalisht i relaksuar.

Imagjino para vetes një portë… preke atë.. hape dhe shih dritën para teje, është drita e të ardhmes. Kaloje pragun e derës dhe hidh hapa drejt jetës tënde të ardhme, drejt qëllimit tënd.. Vazhdo të ecën në kuadrin tënd kohor derisa të arrish në kohën dhe vendin ku përmbush ëndrrën tënde. Lokalizoje mirë se ku ndodhesh, kush është përreth teje, çfarë ke veshur… mundohu ta identifikosh mirë gjithçka përreth teje, gjithçka që dëgjon. Kur ta përmbushësh ëndrrën vëre se çfarë po i thua vetes, identifikoji emocionet e tua, gjendjen e humorit, ambientin përreth, temperaturën e mjedisit ku ndodhesh… Mundohu të ndjesh gjithçka, me të gjitha gjymtyrët dhe organet.

Tani, pasi ke përmbushur qëllimin tënd, formo një imazh të vetes tënde, vazhdo dhe zmadhoje këtë imazh, afroje sa më shumë me veten, shtoja të gjithë ngjyrat e preferuara, jepi këtij imazhi energji duke marrë frymë thellë, pastaj çliroje frymën në këtë imazh. Përsërite këtë dy tre herë dhe shihe imazhin teksa noton sipër teje.

Tani ktheju linjës tënde kohore, të tashmes dhe shihe imazhin tënd ashtu si do të jetë në të ardhmen, shih imazhin që dëshiron të arrish.

Merr pak kohë dhe falëndero veten tënde, falëndero Zotin i cili të ka pajisur me gjithë këto energji dhe kapacitete për përmbushjen e ëndrrës tënde… Mbylli sytë dhe fillo të ngjitësh shkallët e lartpërmendura, njëra pas tjetrës. Në çdo hap dhe shkallë që do të ngjitësh, do të kesh më shumë energji dhe besim, do të ndihesh më i çliruar.

Në shkallën e parë, do të ndjesh më shumë besim.

Në shkallën e dytë, do të ndjesh më shumë fuqi.

Në shkallën e tretë do të ndjesh më shumë për sukses tek vetja.

Në shkallën e katër do të ndjesh se energjia sa vjen e rritet.

Në shkallën e pestë energjia shtohet më shumë.

Në shkallën e gjashtë do të ndjesh më shumë besim, më shumë energji dhe më shumë forcë.

Në shkallën e shtatë, më shumë energji dhe më shumë forcë, do të vazhdosh kështu deri në shkallën e dhjetë.

Në shkallën e dhjetë, hapi sytë dhe sill ndërmend të gjithë informacionin, të gjithë fuqinë dhe të gjithë besimin që të duhet për përmbushjen e ëndrrës tënde.

Të përshëndes për faktin se kalove përvojën e modelit të fuqishëm në krijimin e  të ardhmes pozitive.

Përsërite këtë ushtrim me çdo ëndërr nga ëndrrat e tua. Bëje disa herë dhe sipas mundësisë. Falë këtij ushtrimi, do të mund të bësh mrekulli në jetën tënde, ashtu siç ka ndodhur me mua personalisht.

Filloja që sot dhe krijo ëndrra të mëdha!

Lexo jetëshkrimin e njerëzve të suksesshëm, ndjeje suksesin dhe arritjet e tyre, imagjinoje veten teksa korr sukses, bëj kujdes nga rrëmbyesit e ëndrrave, bëj kujdes nga helmi i ëmbël, mos ia jep shansin askujt as dhe vetes tënde që ta vjedhë ëndrrën tënde. Lëre imagjinatën tënde të notojë sipas qejfit, pasi ajo prodhon energji të cilat mund të ndihmojnë të ndryshosh gjithë jetën tënde. Kij besim tek vetja dhe përsërit fjalët:”Unë mund t’ia dal, unë mund të kem sukses, unë u besoj aftësive të mia për sukses”. Në dashtë Zoti do të arrish majat më të larta!

 

Përktheu: Elmaz Fida


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2650


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>