Selman Aude: Ashpërsia me veten, reflektohet në sjelljen me të tjerët
Dr Selman Aude, është shprehur se izolimi dhe vetëmbyllja, është një nga faktorët e asaj që njihet si delir i madhështisë, ndërkohë që kontakti me njerëzit i kthen njeriut ekuilibrin e duhur.
Gjatë programit të tij të përditshëm në muajin e Ramazanit, Aude tha se profeti Muhamed a.s i edukonte shokët e tij me këtë koncept dhe e praktikonte atë në jetën e tij personale, nëpërmjet komunikimit dhe kontakteve të zgjeruara me njerëzit. Ai vuri theksin në rëndësinë e afrimit të distancës mes pushtetarëve, pasanikëve dhe eprorëve me masat e gjera të njerëzve.
Ai tha se qëndrimi pranë njerëzve të vuajtur dhe kontakti me ta, e nxit njeriun për më shumë modesti, e cila është një nga virtytet më të fisme. Njëkohësisht, dhuna që ushtrohet ndaj të tjerëve, sado e rrezikshme të jetë, është më pak e dëmshme, sesa dhuna që ushtrohet ndaj vetes. Dhuna ndaj vetes, reflekton shumë shpejt në dhunë ndaj shoqërisë.
Aude theksoi se duhet ruajtur ekuilibri mes trupit, mendjes dhe shpirtit, për rrjedhojë, ky ekuilibër do të pasqyrohet edhe në marrëdhëniet me të tjerët. Nëse njeriu dështon me veten e tij, si mund të ketë sukses me të tjerët. Në kulturat e lashta, e sidomos ato me tendenca sufiste ekstreme, njeriu e privonte trupin e tij me agjërim të pandërprerë dhe qëndrim zgjuar natën, deri në torturim. Sakaq, në kohët moderne shohim një llastim të trupit, duke e vënë në funksion të shuarjes së epsheve të çfarëdo lloji. Sot trupi i ka hyrë në hak shpirtit, shohim trupa meshkujsh që ekspozojnë muskujt e tyre të fryrë dhe trupa femrash tundues, larg çdo vlere dhe parimi moral – tha ai.
Aude theksoi rëndësinë e përsosjes së vetes, nëpërmjet njohjes së Zotit të lartësuar, pasi kështu garantojmë në mënyrën më të mirë të drejtat e vetes, e për rrjedhojë dhe të tjerëve përreth. Ajo që e përmirëson dhe përsos shpirtin dhe zemrën e njeriut, është të qenit pranë Zotit, me namaz, agjërim, lutje, lexim Kurani etj.