Ndërmjet mëshirës dhe dashurisë
AGRON ISLAM
Lutju Zotit dhe vepro sipas asaj që Ai të frymëzon në zemrën tënde për të vepruar. Është dëshira jote, a do të veprosh ose jo. Lutja është vepër e madhe, ndihmesë e premtuar nga Zoti për njeriun.
“Më lutuni Mua, Unë do t’ju përgjigjem!” (Gafir, 60)
Nëse të lodhin ditët e jetës, të shkundin përjetimet e rënda, të mundojnë mendimet e pashpresa, të thyhet shpirti, shqiptoje emrin më të bukur dhe më të ëmbël për zemrën: Allah, O Allah!
“Dhe Zoti yt do të të jap, ndërsa ti do të kënaqesh” (Duha, 6)
Ilaç i trupit vjen nga toka, por ilaçi i shpirtit vërshon nga qielli.
“A e shihni ujin që po e pini? A ju e zbrisni atë prej reve, apo Ne Jemi ata që e zbresim? Sikur të dëshirojmë Ne e bëjmë atë të njelmët. Përse nuk falënderoni?” (Vakia 68,70)
Shumë fukarenjë pas një jete të mundimshme me varfëri, janë pasuruar, jetën e varfërisë nuk e kanë harruar, por kanë vazhduar nevojtarëve duke iu ndihmuar, shenjë, Zotin për ta falënderuar. Bota rrotullohet, asnjë e nesërme nuk ngjan me të djeshmen, në çdo të nesërme ka shanse të reja.
“Pa dyshim Allahu është Rizkdhënësi, me fuqinë ngadhënjimtare” (Edh-Dharijat, 58)
Kush është Mbikëqyrësi i universit? Rojtari i zemrave? Allahu!
“Ai e shtriu tokën për krijesat. Në të ka pemë të llojllojta, ka edhe hurma me shporta të mbështjellura. Edhe drithi me kashtën e tij, edhe bimët aromatike!” (er-Rahman 10;12)
Në këtë botë Zoti shumë herë ka bërë mrrekullira, i sëmuri në shtrat, duke vdekur ka qenë, por dhembshuria e Allahut e shëroi, sytë ia çeli dhe në këmbë e çoi dhe me jetëgjatësi e furnizoi.
“..dhe Ne kështu i shpëtojmë besimtarët..” (Enbija, 80)
Në dunja kemi parë kriminelë, narkotrafikantë, vrasës, njerëz të varur nga alkooli e bixhozi, mëkatarë që ligësi nuk kishin lënë pa e bërë, por mahnitën të gjithë dhe asnjëri nuk besonte, kur i panë se dritën udhëzuese të Allahut e kishin përqafuar.
“Tek Ai kthehen të gjitha çështjet, bëji ibadet dhe mbështetju Atij” (Hud, 123)
Nëse toka ka vdekur, bereqeti është pakësuar, frika është përhapur, mos u pikëllo!
“Shenjë për ata është toka e vdekur, Ne e ringjallim atë dhe nga ajo nxjerrim drithëra, me të cilat ushqehen. Ne kemi krijuar në tokë kopshte hurmash dhe vreshta e kemi bërë të shpërthejnë në të burime uji.” (Jasin, 33,34)
Përpiqu për suksesin tënd, orvatu për arritjen tënde, lëviz gjallërueshëm për të realizuar ëndrrën tënde, sakrifiko për planet e tua, konsultohu me vizionarët rreth ideve tua dhe mbështetju Zotit!
“Konsultohu me ta në çështje, e kur të vendosësh, mbështetju Allahut!” (Ali Imran, 159)
Mos e shkatërro shpirtin me brengosje, të gjitha brengat janë të thjeshta, jeta është e shkurtër, shpresa është e madhe, brenga është e zgjidhshme, ndërsa Allahu është shumë Mëshirues.
“Sikur të qëndronin në rrugën e drejtë, Ne do t’u jepnim ujë të bollshëm” (Xhin, 16)
Derdhe djersën tënde, puno për synimet e tua, ndaje mirësinë në mes njerëzve dhe jeto i lumtur!
“Hani e pini e ju bëftë mirë, shpërblim për atë që keni punuar!” (Murselat, 43)
Agron Islami