Quantcast
Channel: Mjeksia Profetike – Mjeksia Islame
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2650

Tradita e Profetit (s.a.u.s.) në mjekimin e zjarrmisë

$
0
0

Tradita e Profetit (s.a.u.s.) në mjekimin e zjarrmisë Në dy Sahih-ët është rrëfimi prej Nafiut, i cili përcjell prej Ibn Omerit se Pejgamberi (s.a.u.s.) ka thënë: “Pa dyshim, zjarrmia ose temperatura e lartë vjen prej një afshi të nxehtë që çliron Xhehenemi, prandaj ftoheni atë me ujë.”1

Për shumë mjekë dritëshkurtër ky hadith duket problematik dhe në kundërshtim me mënyrën e mjekimit dhe shërimit të temperaturës së lartë. Me ndihmën e Allahut të Lartësuar, ne do të mundohemi ta shpjegojmë me imtësi këtë hadith.  Thëniet dhe porositë e Profetit (s.a.u.s.), në aspektin se kujt i drejtohen, janë dy llojesh: 1. Porosi gjithëpërfshirëse, që u drejtohen të gjithë banorëve të tokës, sikurse janë kryesisht të gjitha porositë e tij.  2. Porosi të posaçme që u drejtohen vetëm një kategorie të caktuar njerëzish, sikurse është rasti me hadithin: “Mos u ktheni drejt Kiblës për të kryer nevojën apo për të urinuar dhe as mos i ktheni shpinën asaj (në të tilla raste), por kthehuni drejt Lindjes ose drejt Perëndimit.”1  Ky urdhër, siç kuptohet, nuk është për banorët e lindjes dhe të perëndimit apo për banorët e Irakut. Ai vlen vetëm për banorët e Medinës dhe për ata që janë në kahun e saj, përkundrejt Kiblës. Po kështu kuptohet edhe fjala e tij në hadithin tjetër: “Kibla është mes Lindjes dhe Perëndimit.”2   Nëse kjo kuptohet qartë, atëherë mund të themi se hadithi në fjalë (për ethet) u drejtohet banorëve të Hixhazit (Arabia Perëndimore), zjarrmia e të cilëve kryesisht shkaktohet nga nxehtësia e diellit. Kësaj lloj zjarrmie i bën dobi uji i ftohtë, duke e pirë apo duke bërë banjë me të.

Ethet shkaktojnë rritje të temperaturës në trup, e cila nis së pari në zemër dhe shpërndahet prej saj nëpërmjet enëve të gjakut dhe shpirtit, duke dëmtuar kështu funksionimin normal të trupit. Ka dy lloje zjarrmie: ajo afatshkurtër, që shkaktohet nga tumoret, goditja e diellit, lëvizjet e tepërta ose nga vapa përvëluese, dhe lloji tjetër që shkaktohet nga ndonjë sëmundje, e cila zakonisht nis nga një organ dhe pastaj nxeh tërë trupin.

Kur zjarrmia është e llojit të parë, ajo zgjat nga një deri në tri ditë. Nëse ajo është pasojë e përzierjeve të dëmshme, quhet zjarrmi toksike ose septike, e cila më tej shfaqet në katër forma: vrerike (prej vrerit të  verdhë), melankolike (prej vrerit të zi), flegmatike (prej këlbazës) dhe sanguine (prej gjakut). Kur zjarrmia buron prej organeve kryesore të trupit, ajo quhet „zjarrmi e ashpër, përcëlluese‟, e cila gjithashtu paraqitet në disa forma.

Në fakt, trupi përfiton prej etheve më shumë sesa nga marrja e ilaçeve. Kjo ndodh sepse temperatura nxeh dhe pjek disa substanca të dëmshme, gjë që nuk mund të  ndodhë ndryshe. Përveç kësaj, temperatura liron disa bllokime, sidomos ato që nuk arrin t‟i bëjë mjekësia.

Për sa i përket infektimit të thjeshtë dhe kronik të syrit (konjuktivitis), zjarrmia ndihmon në kurimin e shpejtë të shumë llojeve të tij, po ashtu siç ndihmon kundra paralizës faciale, hemiplegjisë (paralizës që prek vetëm njërën anë të trupit), spazmave dhe kundra shumë sëmundjeve që shkaktohen nga substanca  veshtullore ose teprica substancash.

Disa nga mjekët më të zotë ndihen disi të çliruar kur një trup të sëmurë e kaplojnë ethet, ashtu si një i sëmurë gëzohet kur merr veten nga sëmundja. Arsyeja është se zjarrmia është më efikase sesa barnat në disa raste, pasi ajo pjek disa substanca të prishura dhe septike që dëmtojnë trupin. Kur substanca të tilla arrijnë pjekurinë, ato „kapen‟ nga ilaçi, dhe kështu janë gati të dalin nga trupi. Në këtë mënyrë, ethet bëhen pjesë e kurimit.

Mbështetur në këto fakte, duket se hadithi flet për zjarrminë afatshkurtër, e cila shuhet duke e larë trupin me ujë të ftohtë ose duke e pirë atë. Pas kësaj, nuk ka nevojë për asnjë ilaç tjetër, sepse kjo lloj zjarrmie përbëhet nga nxehtësia që është e lidhur me shpirtin. Kur përdoret një lëndë e ftohtë, nxehtësia e prodhuar nga ethet asgjësohet, pa u dashur që të nxirret nga trupi ndonjë përzierje substancash ose që të pritet për pjekjen e tyre.

Galeni,1 një mjek mjaft i shquar, e ka pranuar që uji i ftohtë ndihmon në kapërcimin e këtij lloji të etheve. Në librin e tij Metodat e shërimit, ai thotë: “Nëse një djalë i ri dhe i shëndetshëm, që nuk vuan nga ndonjë tumor i brendshëm, bën banjë ose zhytet në ujë të ftohtë atëherë kur ditët janë mjaft të nxehta, ai do të përfitojë prej kësaj…”. Ai thotë, gjithashtu, se e ka dhënë këtë këshillë mbi rregulla të caktuara.

Gjithashtu, El Razi, në librin e tij El Kebir, thotë: “Nëse fuqia fizike është normale, por zjarrmia është tepër e ashpër dhe maturimi (i substancave të dëmshme) është i dukshëm, kur i sëmuri nuk vuan nga ndonjë tumor i brendshëm ose nga ndonjë lloj thyerjeje a këputjeje, atëherë pirja e ujit të ftohtë i bën mirë atij. Nëse i sëmuri është i shëndoshë (në peshë), nëse moti është i nxehtë dhe personi është mësuar me banjë të ftohtë, le ta bëjë atë.”  Pejgamberi (s.a.u.s.) ka thënë: “Zjarrmia vjen prej një afshi që lëshon Xhehenemi.” Ky hadith mund të kuptohet në dy mënyra:  1. Sipas kuptimit të drejtpërdrejtë, prej Xhehenemit del një pjesë e vogël e afshit të tij, në mënyrë që njerëzit të jenë të vetëdijshëm dhe të nxjerrin mësime prej kësaj dukurie. Kësisoj, Allahu i Lartësuar ka krijuar shkakun dhe arsyen që ethet të shfaqen në këtë dynja. Në të njëjtën mënyrë, Ai ka lejuar që në këtë dynja të shfaqen pjesë apo shembuj të vegjël të mirësive të Xhenetit, sikurse janë ndjenja e lumturisë, gëzimit, kënaqësisë e mirësi të tjera të kësaj dynjaje. Të tilla “pjesëza” të ndëshkimit apo kënaqësisë, janë dëshmi për njerëzit për ekzistencën e tyre në ahiret, nga të cilat ata përfitojnë mjaft dobi dhe mësime. 2. Sipas kuptimit figurativ, hadithi bën një shëmbëllim të vuajtjes dhe nxehtësisë së madhe të përjetuar gjatë etheve me nxehtësinë dhe vuajtjen në zjarrin e Xhehenemit. Në këtë mënyrë, zemrat tona mund të imagjinojnë torturën e Zjarrit dhe nxehtësinë që çlirohet prej tij. Kjo është bërë për të treguar vuajtjen e madhe që kalon i sëmuri nga njëra anë, por, nga ana tjetër, edhe për t‟u tërhequr vërejtjen krijesave, që ato të marrin masat për t‟u ruajtur nga Zjarri dhe vuajtja në Xhehenem, e cila është shumë më e rëndë sesa vuajtja gjatë etheve. Kur ju përjetoni me dhembje dhe vuajtje të madhe temperaturën e lartë të trupit tuaj gjatë sëmundjes, atëherë mendohuni dhe reflektoni si duhet për t‟u ruajtur ndaj nxehtësisë së padurueshme të Xhehenemit. Pejgamberi (s.a.u.s.). tha: “…ftoheni atë me ujë”. Për sa i përket fjalës “ujë”, janë dhënë dy mendime:  1. Këtu bëhet fjalë për çdo lloj uji. Pra, freskojeni, ftoheni zjarrminë me çdo lloj uji.  Por edhe këta janë ndarë në dy mendime, për sa i përket kuptimit të hadithit. Disa thonë se kuptimi është: freskojeni atë duke shpërndarë ujë si sadaka. Këta e shpjegojnë në këtë mënyrë, sepse iu duket problematik përdorimi i ujit për të sëmurin me ethe. Megjithatë, kjo vjen nga padituria e tyre. Ndërsa të tjerët thonë se këtu bëhet fjalë për përdorimin e ujit. Pra, kuptimi është: freskojeni atë duke përdorur ujë (duke e pirë dhe duke u larë me të). Ky është mendimi më i saktë.

2. Këtu bëhet fjalë për ujin e Zemzemit. Pra, kuptimi është: ftoheni zjarrminë me ujë Zemzemi. Këta e argumentojnë saktësinë e mendimit të tyre me hadithin në Sahih-un e Buhariut prej Ebu Xhemrate Nasr ibn Imran El Dubeit, i cili rrëfen: – Unë shoqërohesha shumë me Ibn Abasin në Mekë. Kur u sëmura njëherë me ethe, ai më tha: – Freskohu me ujë Zemzemi. Pejgamberi (s.a.u.s.) ka thënë: “Zjarrmia është prej afshit të Xhehenemit, prandaj freskojeni atë me ujë!” – Ose tha: “…me ujë Zemzemi!.”1 Transmetuesi ka dyshuar për këtë hadith. Por edhe nëse do të tregonte me siguri të plotë se bëhej fjalë për ujin e Zemzemit, kjo do të ishte e vlefshme për banorët e Mekës, të cilët e kanë të thjeshtë të gjejnë ujë Zemzemi. Të tjerëve u mjafton të përdorin çdo lloj uji që gjendet pranë tyre.  Ebu Nuajmi e të tjerë sjellin hadithin prej Enesit, i cili ia atribuon Profetit (s.a.u.s.), ku thuhet: “Nëse dikush prej jush ka zjarrmi, le të lahet me ujë të ftohtë tri net rresht në kohën e syfyrit.”2 Edhe në Sunen-in e Ibn Maxhes është hadithi i Ebu Hurejrës, që përcjell se Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Zjarrmia është afsh që vjen prej Xhehenemit. Largojeni atë prej jush me ujë të ftohtë!”

Në Musned e gjetkë është hadithi i Hasanit, që e përcjell prej Sumrates, i cili ia atribuon Profetit (s.a.u.s.), ku thuhet: “Zjarrmia është një pjesë prej Zjarrit (të Xhehenemit). Freskohuni prej saj me ujë të ftohtë!” Pejgamberi (s.a.u.s.), kur sëmurej me temperaturë, kërkonte një enë me ujë, të cilën e hidhte mbi kokën e tij dhe lahej.1

Në Sunen është hadithi i Ebu Hurejrës, që ka thënë: – Në prani të Profetit (s.a.u.s.) u përmend zjarrmia e trupit, dhe një burrë e shau atë. Pejgamberi (s.a.u.s.) tha: “Mos e shaj atë, sepse ajo i largon gjynahet ashtu sikurse zjarri largon zgjyrën e hekurit.”2

Zjarrmia zakonisht shoqërohet me mungesë oreksi, e kështu bëhet e mundur që trupi të ruhet nga ushqimet e këqija dhe dëmtuese, nga njëra anë, duke marrë ilaçet dhe ushqimet e dobishme, nga ana tjetër. Në këtë mënyrë, trupi pastrohet nga çdo lloj ushqimi dhe substance e dëmshme, duke nxjerrë jashtë çdo tepricë dëmtuese. Pra, me fjalë të tjera, ajo vepron ndaj trupit njëlloj siç vepron edhe zjarri ndaj hekurit. Ashtu sikurse hekuri pastrohet nga çdo gjë e huaj kur trajtohet me zjarr, edhe trupit i hiqen papastërtitë nëpërmjet zjarrmisë. Kjo është njohur nga të gjithë mjekët e trupit.

E për sa i përket pastrimit të shpirtit dhe largimit të ndotësve prej tij nëpërmjet sëmundjes me temperaturë të lartë, kjo është një çështje që e njohin vetëm mjekët e zemrave (shpirtit), të cilët e vërtetojnë dhe e shohin të realizohet pikërisht ajo që ka treguar Profeti i Allahut. Por nëse sëmundja e shpirtit ka arritur një gradë të pa shpresë për shërim, ky lloj ilaçi nuk i bën dobi.

Kështu, zjarrmia është e dobishme si për trupin, edhe për shpirtin, e, si e tillë, ajo kurrsesi nuk duhet të mallkohet. Madje, kjo konsiderohet si padrejtësi dhe mosmirënjohje.

Ebu Hurejra ka thënë: “Nuk ka ndonjë sëmundje më të dashur për mua sesa zjarrmia, sepse ajo prek çdo organ timin, dhe Allahu i jep çdo organi pjesën e tij të shpërblimit.”

Tirmidhiu sjell në librin e tij El Xhamiu hadithin merfu të Rafi ibn Hadixhit, ku thuhet: “Nëse dikush prej jush sëmuret me ethe, – dhe ethet janë një pjesë prej Zjarrit – le t‟i shuajë ato me ujë të ftohtë! Le të hyjë në një lumë që rrjedh dhe të zhytet përballë rrymës së tij, pas agimit dhe para lindjes së diellit, e ndërkohë të thotë: „Allahume-shfi abdeke ue saddik rasuleke!‟ (O Allah! Shëroje robin Tënd dhe vërtetoje fjalën e Profetit tënd!) Pastaj, le të zhytet në të tri herë, për tri ditë rresht. Nëse shërohet, mirë, nëse jo, le të plotësojë pesë ditë; nëse sërish jo, le t‟i bëjë shtatë, e nëse përsëri nuk shërohet, le t‟i bëjë nëntë. Me lejen e Allahut, ajo (temperatura e lartë) rrallë i kalon nëntë ditët.”1

Kjo është mjaft e dobishme të praktikohet në stinën e verës, në vendet e nxehta, me kushtet që i përmendën më sipër (pra, të jetë temperaturë jo e shkaktuar nga infeksionet apo shkaqe të brendshme, por temperaturë kalimtare). Uji në këtë kohë (pak para agimit) është shumë i ftohtë, sepse ende nuk është ngrohur nga dielli, ndërsa trupi është i fortë pas pushimit të gjatë të natës. Gjithashtu, edhe ajri në atë kohë është i freskët. Duke u mbledhur së bashku fuqia trupore dhe “ilaçi” i përshtatshëm, – pra, uji i ftohtë, që mposht zjarrminë kalimtare, e cila nuk është shkaktuar nga infeksioni apo lëndë të këqija në trup – patjetër që nxehtësia e temperaturës do të shuhet, me lejen e Allahut.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2650


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>