Agron Islami
Në të vërtetë, në bashkësinë tonë mungon një kulturë komunikimi, kontakti dhe bashkëveprimi me psikologun. Nëpërmjet këtij artikulli u bëjmë ftesë të zëshme fetarëve, mjekëve, imamëve dhe figurave tona publike që t’i njoftojnë shoqëritë tona me dobinë dhe rëndësinë e të qenit afër me psikologun. Të mos ndjejnë frikë, turp, fobi, paragjykim, aversion dhe kompleks nga emri psikolog. Një shoqëri që bashkëpunon me specialistët e shëndetit mendor dhe me psikologët e zhvillimit dhe përmirësimit personal është më e vetëdijësuar, më e qetë, pas monoteizmit të pastër, më e përparuar, më e akorduar me kohën, më afër të duhurës dhe më larg ngecjes. Duhen çrrënjësour opinionet se te psikologu shkon i çmenduri apo i marri. Përkundrazi, me psikologun takohet i kulturizuari, i hapuri, inteligjenti dhe i mençuri, duke ndarë mendimin me të. Jeta dhe formimi i një individi, i një familje, i një shoqërie, suksesi apo dështimi në të ardhmen e tij, varet nga shëndeti psikologjik dhe mendor i tij, nga formimi emocional i tij. Gjithçka në botë lidhet me brendinë e njeriut, e jashtma është produkt i të brendshmes, e njeriu është një ekzistencë, por plotëson hallkën e turmës.
“Asgjë nuk kuptohet pa psikologji” – tha njëri ndër analistët e moçëm me emrin Frojd. Ndërsa në abetaren e fëmijëve kinezë, aty diku janë këto fjalë “Unë kam psikologun tim dhe ai mua më ndihmon për sejcilën gjë të jetës”. Kurse në Amerikë, poqese do të shpërthente një konflikt përbenda familjes, do ta thërrisnin po atë natë psikologun e familjes, që të zbuste konfliktin dhe hequr stresin, që nëse kishte për të mbetur aty, do kullonte si uthulla në mjaltë dhe rrjedhte si gjaku në trup. Shoqëria jonë duhet të investojë, por furishëm dhe fuqishëm, në përkrahjen, ndihmesën dhe afirmimin e psikologëve dhe psikoterapeutëve, në organizimin dhe realizimin e fletushkave, librave, emisioneve televizive, debateve, guidave, kurseve, ligjëratave, seminareve, diskutimeve, takimeve me përmbajtje psikologjike-shkencore.
Dr. Selman Aude shkruan: “Një motër u fuqizua falë psikoterapisë. Të shkosh te psikoterapisti nuk është turp. Diçka e tillë s’ka përse të jetë monopol i të çmendurve, siç mendojnë disa injorantë. Nëse arkivave të këtyre klinikave të psikoterapistëve do t’u jepej zë, ata do të flisnin për kushedi sa të famshëm, dijetarë, ministra, princër e tregtarë, të cilët i frekuentonin për trauma të ndryshme e dhimbje të shpirtit!”
Ndërsa, kultura që sundon te ne është kulturë që, në vend të kontaktit me psikologun, nxit lidhjen me yshtës e fallxhorë injorantë, që, lëre se nuk i ndihmojnë fare, por investojnë në përkeqjen e gjendjes edhe më tej. Fillimisht, i nderuar lexues, mos lejo që mosrehatitë në jetën tënde, shqetësimet e krizat, ankthet dhe luhatjet, të të bëjnë të ndihesh i paaftë, sepse gjendja në të cilën je është njerëzore, kaluese dhe e shërueshme. Mos ngurro të kontaktosh një psikolog profesionist për mundimet dhe tundimet e tua, frikërat apo shqetësimet e tua. Psikologu ka mundësi që për dhimbjen tënde të të japë një ide, të thotë një fjalë që kurrë nuk të ka vajtur në mend, të japë një propozim apo të të udhëzojë në një drejtim dobiprurës që ti askund nuk e ke lexuar. Njohësi i shquar i psikologjisë analatike prof. dr. Adem Tamo thotë: “Fjala e psikologut të kultivuar, të urtë, me eksperiencë jetësore dhe profesionale, zë një vend që nuk e zë fjala e askujt tjetër”. Veç kësaj, kultura e leximit të librave psikologjikë mungon me mungesë të theksuar në gjirin tonë shoqëror. Paragjykimi, stigma, ndruajtja dhe ndrydhja para psikologut dhe psikologjisë mjerisht dhe fatalisht vazhdon. Lutemi, për ndryshim.