Janë të shumta, por do të përmendim më të rëndësishmet, më të efektshmet dhe më të dobishmet.
– Moslënia pas dore e dhikreve (përmendjeve), duave, kërkimin e mbrojtjes nga Allahu, leximin e ajetit kursij pas çdo namazi farz (të detyruar) dhe kjo kryhet mbas dhikreve të selamit, leximi i ajeti kursij para se të biesh në gjumë.
Ajeti kursij është nga ajetet më të rëndësishme në Kur’anin Fisnik për t’u mbrojtur nga magjia.
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an:
“Allah! La ilahe il-la Huve (askush nuk ka të drejtë, nuk meriton dhe nuk duhet të adhurohet përveç Atij), El-Haju El-Kaj-jum (i Përjetshmi, i Pafillim dhe i Pambarim, Mbajtësi dhe Mbrojtësi i gjithçkaje që ekziston).
Atë nuk e kap as kotja, as gjumi.
Atij i përkasin gjithë ç’është në qiej e gjithë ç’është në tokë.
E kush është ai që mund të ndërhyjë tek Ai përveç se me Lejen e Tij?
Ai di se çfarë u ndodhë krijesave të Tij në këtë botë, dhe çfarë do t’u ndodhë atyre në Botën Tjetër, dhe ata kurrë nuk do të marrin me mend ndonjë gjë nga Dija e Tij, përveç asaj që Ai do (nga Vullneti i Tij).
El-Kursija e Tij (dija, sundimi, mbikqyrja) shtrihet mbi qiej dhe tokë dhe Ai nuk ndjen aspak lodhje në ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre.
Dhe Ai është më i Larti, më Madhështori.” (Sure El-Bekare, 255).
– Nga ilaçet që bëhen shkak për t’u mbrojtur nga magjia para rënies së saj është leximi i sures El-Ihlas, El-Felek, En-Nas, është mirë që të lexohen këto sure tre herë mbas namazit farz (të detyruar) të sabahut dhe tre herë mbas namazit farz të akshamit (mbrëmjes).
Gjithashtu të lexohen me këto sure dhe dy ajetet e fundit të sures El-Bekare.
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an:
“I Dërguari (Muhamedi alejhi selam) beson në çfarë i është zbritur atij nga Zoti i vet dhe po kështu edhe besimtarët (besojnë bashkë me të).
Gjithësecili prej tyre beson në Allahun, në Melekët e Tij, në Librat e Tij, në të Dërguarit e Tij.
(Ata thanë): “Ne nuk bëjmë asnjë dallim mes njëri-tjetrit prej të Dërguarve të Tij”- dhe po kështu thanë: “Ne ndëgjuam dhe u bindëm.
(Ne kërkojmë) Faljen Tënde, Zoti ynë dhe tek Ti është kthimi i fundit.
Allahu nuk e rëndon askënd mbi mundësitë që ai ka.
Secili merr shpërblim për atë (të mirë) që ka fituar dhe (po kështu) secili merr dënim për atë (të keqe) që ka fituar.
“Zoti ynë! Mos na ndëshko në qoftë se harrojmë, apo biem në gabime; – Zoti ynë! Mos na ngarko me barrën e atyre që i detyrove para nesh (jehuditë dhe të krishterët): Zoti ynë! Mos na ngarko me barrë më të rëndë se sa kemi mundësi për të (që ta mbajmë).
Na fal ne, dhe na liro nga gjynahet dhe ki Mëshirë për ne.
Ti je Maula (Zoti, Mbrojtësi, Ruajtësi) ynë; pra, na ndihmo dhe na jep fitore përmbi popullin Kafir (mohues, mosbesimtarë).” (Sure El-Bekare, 285-286).
Profeti (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) thotë: “Kush e lexon ajetin kursij në darkë, është nën mbikqyrjen e Allahut dhe nuk i afrohet atij shejtani derisa të zgjohet.”
Gjithashtu Profeti (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) thotë: “Kush i lexon dy ajetet e fundit të sures El-Bekare në mëngjes dhe në darkë i mjafton atij.”