Rruajtja e kokës mund të bëhet për tri arsye: si rit fetar i ligjshëm, si një akt jofetar dhe politeist, dhe si mënyrë kurimi. Lloji i parë kryhet gjatë haxhit dhe umres, ndërsa lloji i dytë bëhet për qëllime të tjera veç Allahut.
Gjithashtu rruajtja e kokës është një akt përunjësie e adhurimi, pikërisht kur ajo bëhet vepra përmbyllëse e haxhit dhe e umres. Madje, imam Shafiu e ka konsideruar atë si një prej shtyllave të haxhit, pasi me këtë adhurim robi shpreh përulësinë para madhështisë së Zotit të tij. Ky është nga adhurimet e veçanta ndaj Zotit, dhe nuk lejohet që t‟i përkushtohet dikujt tjetër veç Tij.
Në të kaluarën, kur arabët donin të poshtëronin robërit dhe skllevërit e tyre, dhe më pas t‟u jepnin atyre lirinë, fillimisht ata ua rruanin kokat. Më vonë, u shfaqën disa mësues sharlatanë, të cilët kërkonin t‟ia mvishnin vetes të drejtën e adhurimit dhe që synim kryesor kishin shërbimin ndaj bidatit dhe politeizmit. Këta gjoja dijetarë donin nga nxënësit që të kryenin akte adhurimi kushtuar atyre. Kështu, ata mësonin që nxënësit duhet të rruanin kokat për hir të mësuesve të tyre, njëlloj siç i nxisnin të bënin edhe një përkulje, duke i vënë këtij akti një emër tjetër dhe duke pretenduar se kjo nuk është “sexhde apo ruku”, por thjesht një përkulje e kokës para mësuesit. Por, për Zotin e Madh, çfarë është sexhdeja për hir të Allahut, nëse nuk është përkulje e kokës para Tij?!