Mjalti vërtet ka vlera të mëdha ushqyese: ai është ushqim, pije, ëmbëlsirë, ilaç dhe freskues. Nuk ka ushqim tjetër që Allahu e ka krijuar për ne e që mund të barazohet me vlerat e mjaltit. Ja përse njerëzit e kanë përdorur mjaltin që në kohët më të lashta, ndërsa sheqerin nuk e kanë përmendur në librat e tyre, pasi ai është zbuluar kohët e fundit. Pejgamberi (s.a.u.s.) e pinte shpesh mjaltin të tretur në ujë dhe esëll. Këtu mund të zbulojmë një të fshehtë shumë të veçantë dhe të rëndësishme, që mund ta kuptojë çdo i ditur dhe i zgjuar. Por këtë do ta shtjellojmë më tej, kur të flasim për masat mbrojtëse të shëndetit.
Në Sunen-in e Ibn Maxhes është një hadith merfu, të cilin e ka treguar Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!), sipas të cilit, i Dërguari i Allahut (s.a.u.s.) ka thënë: “Kush ha mjaltë së paku tri herë në muaj, nuk do të vuajë nga sëmundje të rënda.”1 Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut (s.a.u.s.) ka thënë: “Përdorni dy shëruesit: mjaltin dhe Kuranin.”2 Në këtë fjalë të tij, ai (s.a.u.s.) e ka lidhur ngushtë mjekësinë njerëzore me mjekësinë hyjnore, ilaçet për shërimin e trupit me ilaçet për shërimin e shpirtit. Ai ka lidhur mjekësinë trupore me atë shpirtërore, mjekësinë tokësore me atë qiellore.
Si konservues, mjalti mund të përdoret për ta ruajtur mishin deri në tre muaj. Ai është përdorur për ruajtjen në gjendje të freskët të kastravecëve, kungujve, patëllxhanëve dhe të frutave të ndryshme deri në gjashtë muaj. Mjalti është përdorur gjithashtu si përbërës kryesor në balsamimin e të vdekurve.
Kalimi i lehtë i dorës së lyer me mjaltë nëpër flokë, si krem, zhduk morrat dhe parazitët e tjerë. Ai mund të përdoret si zbutës dhe freskues i flokëve, madje përshpejton rritjen e tyre. Përdorimi i mjaltit si pomadë për syrin forcon të parët dhe largon errësimin e shikimit, ndërsa fërkimi i dhëmbëve me mjaltë i zbardh ata. Kur përdoret për shpëlarjen e gojës, forcon mishin e dhëmbëve dhe mënjanon sëmundjen e tyre.