Po ashtu, (nga ilaçet profetike) është: fara e zezë.
Pra, fara e zezë është nga ilaçet profetike. Fara e zezë është ilaç për çdo sëmundje, përveç vdekjes. Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – nuk përcaktoi se si të kërkosh shërim me të. Kështu që, këtu hyjnë të gjitha metodat e shërimit me farën e zezë që i njohin njerëzit.
(Metoda e parë): Të marrë shtatë (7) kokrra të farës së zezë, dhe t’i vendos në gojë, pastaj ta mbyll gojën, dhe t’i përtyp mirë ato (duke mbajtur gojën mbyllur). Kjo është metoda më e mirë e shërimit me farën e zezë.
Ata që janë të specializuar për këtë gjë thonë: të marrë shtatë kokrra, sepse kjo është sasia e dobishme; të marrë shtatë kokrra dhe t’i vë në gojë, pastaj ta mbyllë gojën dhe t’i përtypë ato me dhëmbë duke mbajtur gojën mbyllur. Kanë thënë se ajo që është më e dobishme te fara e zezë është, vaji esencial i saj, i cili del gjatë përtypjes. Kur ai e mbyll gojën, ky vaj futet brenda në trup. Kjo metodë është e dobishme, dhe është metoda më e dobishme e shërimit me farën e zezë.
(Metoda e dytë): Ose i thërrmon ato dhe i fut në hundë. Disa dijetarë kanë thënë që i merr pesë (5) kokrra, i thërrmon dhe i fut në hundë, ose i thërrmon ato kokrra dhe i përzien me vaj (ulliri), dhe i fut në hundë, ose e nxjerr vajin e farës së zezë dhe lyhet me të, ose pi diçka prej tij. Kështu që, fara e zezë është shërim. Prandaj, çdo gjë që e kanë mësuar njerëzit për arritjen e dobive me farën e zezë, e përfshin ky hadith, për shkak të përgjithësimit të Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.
Këto i quajmë ilaçe profetike. Pra, kemi: rukjen (leximin e ajeteve Kuranore dhe lutjeve), ilaçet profetike dhe ilaçet që janë të lejuara. Pra, ilaçet që merren si shkaqe konkrete dhe të dukshme, për të cilat është vërtetuar me prova se këto bëjnë dobi dhe nuk ka ndonjë ndalesë sheriatike për këtë. Shërimi me gjëra konkrete, për të cilat është vërtetuar me prova së bëjnë dobi dhe nuk ka ndonjë ndalesë për to. Kështu që, përmes këtyre zgjidhet magjia. E nëse i bashkëngjitet kësaj edhe rukja (leximi i Kuranit dhe lutjeve), atëherë kjo është më e dobishme dhe më e fuqishme.