– Transmetohet nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Uji i Zemzemit bën dobi për çdo qëllim që të pihet.” E transmeton Ahmedi dhe Ibën Maxheh. [Sahih – Ibën Maxheh 3062, Irvaul Galil 1123, Sahihul Xhami 5502].
– Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se: “Ajo mbarte me vete (merrte nga Meka në Medine) prej ujit të Zemzemit dhe thoshte se edhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) mbarte nga ai.” E transmeton Tirmidhiu dhe thotë: Ky hadith është hasen garib. [Sahih – Tirmidhiu 963, Essahiha 883].
– Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) shkoi te enët e ujit dhe kërkoi nga shërbyesi i ujit (Abasi) dhe Abasi tha: O Fadl! Shko te nëna jote dhe merr ujë për të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha: Me jep ujë nga ky. – O i Dërguari i Allahut! Njerëzit fusin duart në të. – Më jep, ia përsëriti i Dërguari. – Pastaj piu, shkoi te Zemzemi, tek i cili po punonin (po bënin rregullime) dhe tha: Punoni, sepse ju po veproni një punë të mirë. Pastaj tha: Sikur të mos ngushtoheshit, unë do të zbrisja dhe do ta vendosja litarin – duke e bërë me shenjë nga supi i tij.” E transmeton Buhariu.
– Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Shenja dalluese ndërmjet nesh dhe hipokritëve është se ata nuk mund ta mbushin barkun deri në brinjë me ujë Zemezemi.” E transmeton Ibën Maxheh. [Hadithi është i dobët, siç e ka konsideruar el Albani në “Sunenu Ibën Maxheh” (nr. 3061)].
– Transmetohet nga Ibën Abasi se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Uji i Zemzemit është për atë (qëllim) për të cilin pihet; nëse e pi atë që të shërohesh me të, Allahu të shëron. Nëse e pi atë që të të ngopesh, Allahu të ngop. Nëse e pi atë që të shuash etjen, Allahu t’a shuan atë. Ai është gropa e Xhibrilit dhe dhënësi ujë Ismailit.” E transmeton Darakutni. [Batil Meudu (i pavërtetë, i trilluar) – Irvaul Galil 1126, Daiful Xhami 4972].
Përktheu Bledar Albani