Allah! Emër që ngjallë shpresën për gjithçka! Pa Ty jam asgjë. Me emrin Tënd ndjehem krijesë, njeri, ndjej jetë, marr frymë, lëviz, ndjej ngrohtësi e dashuri, ndjej paqe e siguri, ndjehem i nderuar dhe i ngritur! Me emrin Tënd nuk ndihem i harruar, as i humbur, e as i hutuar! Për Ty duhet të jetohet e të vdiset! Pa Ty as jeta as vdekja s’kanë kuptim. Me Ty gjithçka ka kuptim! Ti më bëre të ndjehem me mision e qëllim.
Po të mos ishte udhëzimi Yt kush do të isha, çfarë do të isha, për çfarë do të jetoja! Do të isha asgjë fare, do të isha vetëm mish e gjak, e baltë mbi kokë e baltë nën këmbë. Ti më bëre të ndjehem me shpirt. Me dhurove frymën Tënde, e unë ndjehem se jam diçka! S’dua të jem gjë, vetëm rob i Yti! Ty të takon çdo gjë. Unë jam pronë e Jotja. Gjithçka më dhurove nuk është e imja. Asgjë nuk është e imja. Edhe ujin që me të shuaj etjen, Ti e krijove! Edhe ushqimi që prej tokës del, Ti ma mundësove. Edhe këto gishtërinj që shkruajnë, janë pronë e Jotja. Unë s’i krijova. Ti m’i dhurove. Ti je Dhuruesi!
E si të të mos jem falënderues, o Allah! Edhe mendjen e zemrën me të cilat përpiqem të të lavdëroj, nuk i krijova, Ti m’i dhurove, e si të mos mendoj në Mëshirën e Bujarinë Tënde! Nuk mund të të falënderoj, e as të të lavdëroj, e as të të adhuroj siç e meriton! Unë nuk mundem, Ti i falënderuar Je, para se krijesat të të falënderojnë. Ti i lavdëruar Je, para se krijesat të të lavdërojnë. Çdo gjë syri im kap, çdo gjë që veshi im dëgjon, gjithçka unë prek, gjithçka që unë shijoj, nuhat e ndjej, i takojnë Pushtetit Tënd!
Unë jam krijesë, Ti më dhe jetën, Ti më bën të vdes, Ti më solle në këtë jetë, e Ti më nxjerr nga kjo jetë, Ti krijove tokën të rrafshët, krijove gjithçka që mua më nevojitet, e krijove edhe kulmin e tokës, qiellin, që jeta në tokë të jetë e përshtatshme për mua. Ti i krijove për mua, njeriun! Ashtu siç gjithçka krijove, gjithçka do ta bësh të përfundojë, të mbarojë, të zhduket, të vdes. Te Ti është kthimi im. E si të të mos adhuroj ashtu siç më udhëzove!
E si o Allah, të mos e dëgjoj Fjalën Tënde, e të mos e respektoj atë, e të mos e pasoj atë, e të mos bëhem i dëgjueshëm e i nënshtrueshëm ndaj Teje! Po të mos ishte Mëshira Jote, Butësia Jote, Durimi Yt, Urtësia Jote, vallë a do ta njihja fillimin dhe fundin tim! Me Mëshirën Tënde më përshkove dhe më fale, më Butësinë Tënde më le hapësirë për të gjetur vetveten, me Durimin Tënd nuk më humbe, kur unë isha mosmirënjohës e jofalënderues!
Më bëj vetëm Ty të të përgjërohem, të të lutem, të të drejtohem, të të mbështetem! O Allah, ashtu siç udhëzon, mos e lejo vetveten time të padrejtë, lakmitare, harrestare, të më shtrembëroj nga Rruga Jote, nga Udhëzimi Yt, nga Feja Jote, nga Drita e Mëshira Jote! Më bëj vetëm Ty të të adhuroj! Asgjë nuk meriton adhurim e përkushtim, e as përgjërim e as nënshtrim, përveç ndaj Teje, gjithçka jeton, ndjen, e frymon nën hijen e Pushtetit Tënd!
O Allah, Ti je i Gjithëdijshëm, i Urtë, Njohës i çdo gjëje në hollësi, mund të mos jem i vetëdijshëm në gjithçka them, por unë shoh diçka fare pak nga argumentet Tua dhe ato më shtojnë bindjen ndaj Teje, po Ti me Urtësinë Tënde shpike, që unë njeriu të të gjej Ty! Sa i Dashur Je! Sa i Ndershëm Je! Nuk mund të shprehem, por të them siç kanë thënë të Dërguarit Tënd: të të falënderoj ashtu siç di Ti të jesh i falënderuar!
Jam i paaftë të përfshij. Ti je që përfshin gjithçka e çdo gjë! Jam i paaftë të të lavdëroj, të të madhëroj, të të lavdëroj, të shpreh respektin dhe përgjërimin ndaj Teje, ashtu siç e meriton Ti, o Allah! Jam i varfër, s’kam asgjë, Ti je i Pasur e Ke gjithçka, unë jam i dobët e nevojtar, Ti je i Gjithëfuqishëm e Jo Nevojtar për askënd e për asgjë! Je Sovran, i Pavarur, gjithçka është nën Sundimin e Pushtetin Tënd!
Sa i pafuqishëm jam, sa i pa pushtet jam, sa i dobët jam, sa nevojtar jam, ndërsa Ti o Allah je Mirënjohës ndaj adhurimit dhe veprës që bëj ndaj Teje! E Ti duke mos pasur nevojë për asgjë! Sa i Lartë, sa i Pastër, sa Bujar, sa i Lavdishëm, sa Sigurues, sa i Dhembshëm Je! Nuk kam fjalë, nuk kam shprehje, nuk mund të shpreh habinë, jo, s’kam fjalë të shpreh madhështinë Tënde! E si të bëj keq, e si të mendoj keq, e si të veproj keq, kur Ti sa Mirëbërës që Je!
Sa i padrejtë jam! Unë nuk di të jem falënderues. Nuk di të jem mirënjohës. Nuk di të jem i butë e i mëshirshëm. Unë as jetën që e frymoj, nuk e kam nën sundimin tim, e bëhem fodull, krenar, mendjemadh, kryelartë! Unë o Allah, vetëm një padrejtësi e vogël kur bëhet ndaj meje shpërthej me hidhërim, ndërsa Ti duron padrejtësitë që bëjmë vazhdimisht ndaj Teje! Sa Durimtar që Je! Subhanallah! Sa Falës i Madh që Je!
S’ka zot – hyjni, të adhuruar me meritë-, përveç Teje o Allah! I Lartë dhe i Pa të meta Je, Ty të takon gjithçka, e gjithçka pa Ty është e kot, është e pajetë, është asgjë fare hiç!
La ilahe ila Ente subhaneke inni kuntu mine-dh-dhalimin
-Avni Tafili