Fillimi i lumturisë është tek njohja e Allahut dhe ibadeti ndaj Zotit.
Allahut që i përkulesh me ball në sexhde.
Allahut që me kënaqësi agjëron për hatër të Tij.
Allahut që zemrat pa Te janë të vdekura.
Allahut që gjymtyrat pa ibadetin e Tij nuk janë veç një ngarkesë që i banë.
Allahut i nënshtrohesh Atij që të dalloi mbi faqen e dheut.
Allahut që të dha atë që as baba as nëna nuk kishin dasht ti me pas.
Allahut që nuk të len asnjëherë edhe kur të gjithë të tjerët të braktisin.
Allahut që të qetëson kur të tjerët të hidhërojnë.
Allahut që ti mbuloi të metat dhe të këqiat kur të tjerët mezi presin të marrin vesh për ato të këqia tuat.
Allahut që dhembjen e trupit ta kthen në shërim.
Allahut që nuk i pengon ngecja jote, kur të tjerët presin prej teje më tepër sukses.
Allahut që ta shpërblen mundin, kur të tjerët e harrojnë.
Allahut që tu përgjigj duas tënde, edhe atëherë kur edhe ti nuk shpresoje.
Allahut që jetimit të ngratë i dhuron lumturi e nur në zemër, e ne të tjerët nuk e vërejmë.
Allahut që nuk bën dallime mes gjuhëve dhe racave, kur të tjerët kërkojnë të shohin letërnjoftimin tënd.
Allahut që bëri që dashuria mes burrit e gruas mos të përfundoj edhe pas vdekjes së njërit prej tyre.
Allahut që nuk na ngarkon me fajët e të parëve tanë, ndërsa të tjerët na përmendin ato gabime të parardhësve tanë.
Allahut që ta realizon dëshirën, edhe atëherë kur të tjerët ngriten në këmbë ta pengojnë atë dëshirë.
Allahut që ta bëri frymarjen të lehtë, e të tjerët mundohen edhe për ajrin të marrin depozit.
Allahut që ta bëri ujin e shijshëm për buzët e etura, e të tjerët të ofrojnë gazra e helme kinse për të mirën tënde.
Allahut që gjykimi i Tij është gjithnjë i drejtë dhe i paanshëm, kur të tjerët të falin kur nuk duhet , e të dënojnë kur ske faj.
Allahut që e testoi imanin e Ibrahimit alejhi selam dhe nuk deshti që të therr djalin e tij Ismailin, e si zëvendësim melaqja ia zbriti një dash nga qielli.
Allahun që e gëzoi zemrën e Jakubit alejhi selam pasi e humbi djalin e vet, Jusufin alejhi selam. E ai u thoshte grave : o unë po ndjej erën e Jusufit nga larg, ato i thonin, ty prap tka mujt malli për djalin tënd të humbur. Por jo ishte Allahu i Cili e ktheu Jusufin alejhi selam në krahët e babait të vet Jakubit alejhi selam.
Po Allahu, ishte ai që iu përgjigj lutjes së Junusit alejhi selam në barkun e peshkut : o Allah Ti je Një ska tjetër veç Teje, më fal unë jam prej zullumqarëve. E shpëtoi Allahu edhe e ktheu tek populli i tij.
Po Allahu ishte Ai që iu përgjigj lutjes së Muhamedit alejhi selam kur e lëshoi Mekën dhe bëri dua për Medinën : o Allah bëje që zemrat e muslimanëve të mallëngjehen për Medinen. E çdo zemër muslimani kur dëgjon për Medinen e kap malli për te.
A mund të thuhet se është vështirë është të vë ballin në sexhde për Allahun Tim, a mund të thuhet se nuk mund të agjëroj për Allahun Tim, a mund të thuhet se nuk jap zeqat krejt këto për Allahun Tim!?
Jo o Allah unë jam robi Yt , Ti je Zoti im, ska Zot tjetër veç Teje. Çdo gjë do të bëj veç për Ty, e askë tjetër Teje, më lehtëso qëllimin, do të qëndroj stoik ndaj Teje dhe mësimeve Tua, do ti përballoj gjitha sfidave e trazirave , për asgjë tjetër veç se Ti o Allah ke premtuar shpërblim për mua, e unë e di se ti asnjëherë nuk e then premtimin Tënd.
(Zoti ynë, jepna atë që nëpërmjet të dërguarëve Tu, na e premtove dhe në ditën e kijametit mos na turpëro; vërtet Ti je Ai që nuk e shkel premtimin).
pjesë e hutbes : Lumturia e dëshiruar – pjesa III
Hoxhe Sevdail Jakupi