S’është kjo e paqarta. Këtë e dimë të gjithë. E dimë se për të arritur në një pikë, duhet të ecim drejt saj.
Mirëpo shumë njerëz ndërsa ëndërrojnë diçka, s’bëjnë asnjë hap drejt saj. Nuk bëjnë përpjekje për të lëvizur. Jo pse nuk dinë të ecin e të përpiqen. Por pse nuk besojnë se mund të ecin e të përpiqen.
Prandaj, për të mësuar se mund të ecim e të përpiqemi, duhet të nisemi. Dhe gjatë ecjes e përpjekjes, ke për të mësuar atë që nuk e ke ditur. Ndërsa hedh hapat përpara, gjithnjë e më afër prekjes së ëndrrës do të jesh.
Thjesht ec, përpiqu, me durim e përkushtim.
Dije se, fundi i ecjes e përpjekjes tënde, është suksesi. Përfytyroje sikur fillimi i një filmi, pas shumë lëvizjesh e përpjekjesh, dhembjesh e vështirësish, ka një fund të bukur. Ai fund i bukur, është bukuria e ecjes dhe përpjekjeve tua.
Është suksesi yt.
(Udhëtari)
Avni Tafili