Në thelb, udhëzimi i të Dërguarit është orientuar në drejtim të shërimit të kësaj sëmundjeje dhe siguron metoda të ndryshme shërimi. Lidhur me këtë temë, imam Ebu Davudi, në Sunen e vet, ka shënuar se Sahil bin Hanifi ka thënë: “Njëherë me një grup njerëzish kaloja pranë ujëvarës. Shkova dhe u lava, por kur dola (nga uji) më kapën ethe të forta”. Kur këtë rast ia treguan të Dërguart të All-llahut , s.a.v.s., ai e komentoi kështu: “Thuani Ebu Sabitit160 që t’i lexojë versetet që flasin për mbrojtjen nga ana e All-llahut (ta’viza)”. Dikush e pyeti: “Çka do të bëhej nga leximi i zakonshëm i rukjes – a do ta ndihmonte ajo?” I Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., u përgjigj: “Leximi i rukjes vlen vetëm për sëmundjet psikike, ethet dhe për kafshimet helmuese”.161
Syri magjepsës njihet në gjuhën arabe si nefs, prandaj kjo do të thotë vënie e syrit magjepsës në lidhje me natyrën e keqe të lindur të dikujt ose “të vetes”, ndërsa kafshimi helmues nënkupton thumbimin e akrepit (lat. Euscorpius flavicaudus) ose diçka të ngjashme. Ndër lutjet e rregullta për mbrojtje të vazhdueshme lejohet të lexohen dy kaptina (sure) mbrojtëse (ar. El-Mu’avizatejn). Këto janë surja El Felek e Kur’anit, e cituar më sipër, dhe surja En Nas, që në përkthim do të thotë:
1.“Thuaj: ‘Mbështetem (mbrohem) me Zotin e njerëzve!
2. Sunduesin e njerëzve,
3. Të adhuruarin e njerëzve,
4. Prej të keqes së cytësit që fshihet.
5. i cili bën cytje në zemrat e njerëzve,
6. Qoftë ai (cytësi) nga xhinët o nga njerëzit”. (En Nas, 1-6)
El-Fatiha, e cila në përkthim do të thotë:
1. “Falënderimi i takon vetëm All-llahut, Zotit të botëve!
2. Bamirësit të përgjithshëm, Mëshirëbërësit!
3. Sunduesit në Ditën e gjykimit (përgjegjësisë-shpërblimit)!
4. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm te Ti kërkojmë ndihmë!
5. Udhëzona (përforcona) për në rrugën e drejtë!
6. Në rrugën e atyre, të cilët i begatove me të mira,
7. Jo në të atyre që kundër veti e tërhoqën hidhërimin, e as në të atyre që e humbën veten! (El Fathia, 1-6)
“Allahu është një, nuk ka Zot tjetër përveç Atij. Ai është mbikëqyrës i përhershëm dhe i përjetshëm. Atë nuk e kap as kotje as gjumë, gjithçka ka në qiej dhe në tokë është vetëm e Tij. Kush mund të ndërmjetësojë tek Ai, pos me lejen e Tij, e di të tashmen që është pranë tyre dhe të ardhmen, nga ajo që Ai di, tjerët dinë vetëm aq sa Ai ka dëshiruar, Kursija e Tij (dija-sundimi) përfshinë qiejt dhe tokën, kujdesi i Tij ndaj të dyjave, nuk i vjen rëndë, Ai është më i larti, më i madhi”. (El Bekare, 255)
Krahas këtyre verseteve të Kur’anit, individi mund t’i lexojë gjithashtu lutjet e të Dërguarit, si:
1) “Kërkoj mbrojtjen me fjalët e përsosura të All-llahut kundër cilësdo të keqe që mund të vijë nga krijesa e Vet”.
2) “Kërkoj mbrojtjen me fjalët e përsosura të All-llahut kundër cilitdo shejtan, shqetësimeve dhe brengave dhe kundër çdo syri magjepsës”.
3) “Kërkoj mbështetje në fjalët e përsosura të All-llahut, të cilat nuk mund t’i shkelë as besimtari, as jobesimtari për çfarëdo të keqe që mund të vijë nga ai që e ka krijuar dhe që e ka përcaktuar Ai, nga ai që e mban gjallë Ai dhe më vonë e kthen për ta gjykuar; nga ai që bie nga kupa qiellore dhe që ngjitet drejt saj; nga çfarëdo rreziku që Ai e ka vendosur në tokë dhe nga çfarëdo dëmi që mund ta shkaktojë ai; nga çfarëdo tundimi gjatë natës dhe ditës; nga çfarëdo vizite në errësirë dhe në dritë, përveç postierit të porosive të dashura nga Zoti im i mëshirshëm”.
4) “Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të All-llahut nga mëria dhe dënimi i Tij; nga çfarëdo e keqe që është iniciuar nga krijesa e Tij dhe nga lajkat e këqija të shejtanit, ose nga të qenit e tyre afër meje”.
5) “Zot, kërkoj mbrojtje me personalitetin Tënd dhe me fjalët e Tua të përsosura nga krijesat e këqija, kufijtë e fundit të të cilëve vetëm Ti i kontrollon. Zot, vetëm Ti ke fuqi të çlirosh nga fatkeqësitë dhe t’i ndryshosh padrejtësitë. Zot, ushtarët e Tu janë të pagabueshëm dhe premtimi Yt nuk humbet. Qofsh i lavdëruar Ti dhe Ty të drejtohen të gjitha lutjet”.
6) “Kërkoj mbështetje tek fytyra e madhërishme dhe më e lavdishme e All-llahut dhe kërkoj mbrojtje tek fjalët e Tij të shenjta dhe të përsosura, të cilat nuk mund t’i cënojë as besimtari, as jobesimtari; kërkoj mbështetje tek të gjitha atributet e All-llahut, emrat e të cilave i di e të cilat nuk i di, nga çfarëdo e keqe që mund të më vijë nga ai që e ka krijuar dhe e ka përcaktuar Ai, nga ajo që e mban gjallë Ai, dhe më vonë e nxjerr në gjykim, nga dëmi i çfarëdo të keqeje, të cilin unë nuk mund ta duroj dhe nga çdo e keqe dhe nga krijesa kufijtë e të cilës i kontrollon vetm Ti. Vërtet Zoti im vepron drejtësisht”.
7) “Zot, Ti je Ushqyesi im i vetëm. Tek Ti besoj unë, kurse Ti je Zotërues i fronit të madhërishëm dhe më të shquar. Dëshira e All-llahut do të realizohet gjithmonë, kurse ajo që Ai nuk e dëshiron, nuk do të realizohet. Vërtet nuk ka asnjë fuqi ose vullnet përpos fuqisë dhe vullnetit të All-llahut. E di dhe dëshmoj se All-llahu ka fuqi dhe pushtet mbi gjithçka. Dituria e Tij përfshin gjithçka dhe secilin, dhe vetëm Ai e di numrin e gjithçkaje dhe të të gjitha atyre që janë krijuar përgjithësisht. Zot, unë kërkoj mbështetje tek Ti nga e keqja ime dhe nga e keqja e shejtanit të mallkuar, nga politeizmi i tij; unë kërkoj mbështetje tek Ti nga e keqja e gjithçkaje që lëviz në këtë tokë dhe që ekziston në të; nga të gjitha krijesat, kufijtë e fundit të të cilave i kontrollon vetm Ti. Vërtet Zoti im vepron drejtësisht”.
8) “Kërkoj mbështetje tek Zoti i madhërishëm. Nuk ka zot tjetër përveç Tij. Ai vërtet është Zoti im dhe zotërues i gjithçkaje. Kërkoj mbështetje nga Ushqyesi im dhe Ushqyesi i gjithçkaje. Unë besoj sinqerisht te Zoti im i gjallë, i cili nuk vdes. Mbrohem nga e keqja ime me fuqinë gjithëpërfshirëse, ‘nuk ka vullnet ose fuqi përveç asaj që ka All-llahu’. Më mjafton All-llahu, që është udhëzuesi më i mirë. Më mjafton Ushqyesi im dhe i vetmi Ushqyes i tërë ekzistencës. Më mirë është t’i marrë gjërat e nevojshme nga Furnizuesi Suprem, sesa t’i marrë nga varësit e Tij. Më mirë është të kërkoj kënaqësinë e Krijuesit sesa të krijesave. Më mjafton Furnizuesi im. Më mjafton Drejtuesi i vetëm i të gjitha botëve. Ai e ruan vetë dhe nuk mund të jetë askush si Ai. Më mjafton dëgjimi i lutjeve të mia nga All-llahu dhe vetëm Ai ka fuqi për t’i plotësuar. Vërtet All-llahu është qëllimi i vetëm dhe nuk ekziston asgjë tjetër përveç Atij. Tek Ai besoj unë, vërtet Ai është Zotërues i fronit të madhërishëm hyjnor”.
Nuk ka asnjë dyshim se cilido njeri që ka bërë lutje të tilla, ka pasur dobi prej tyre dhe ndoshta e ka kuptuar vlerën e tyre dhe leximin drejt dhe tepër të domosdoshëm të tyre. Lutje të tilla unikate, vepruese dhe të bekuara kanë fuqi të pengojnë çfarëdo të keqe që është drejtuar nga syri i keq magjepsës. Megjithatë, gjithçka varet nga shkalla e besimit të individit, fuqisë së vendosmërisë së tij, syçeltësisë së tij të vazhdueshme (vigjilencës), besimit të tij të patundur tek Zoti i tij dhe nga shkalla e dëshmimit dhe ekuilibrit të zemrës së tij, sepse të gjitha këto që u përmendën janë armë, kurse efikasiteti i armëve varet nga ai që i përdor ato.