Xhabir bin ‘Abdullahu ka treguar se delegacioni i fisit Sukejf kishte shkuar në Medinë për të treguar se i takon Islamit dhe për të shprehur besnikërinë e vet në Rrugën e All-llahut. Me vete kishin marrë njeriun që ishte sëmurë nga lebroza dhe gjendja e tij ishte tepër e rëndë dhe e pashpresë për t’u shëruar. Para se të shkonin, i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., u kishte dërguar një porosi me anë të korrierit. Në atë porosi u kishte thënë: “Kthehuni në shtëpinë tuaj, e kemi marrë premtimin tuaj”.134
Gjithashtu, në Sahih-un e Muslimit është shënuar se Ebu Hurejre kishte treguar se i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., ka thënë: “Ikni nga njeriu i sëmurë nga lebroza, ashtu siç ikni nga luani”.135 Imam Ibni Maxhxhe ka shënuar në përmbledhjen e vet me hadithe se edhe vetë i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., ka thënë: “Mos ia ngulni sytë njeriut të sëmurë nga leproza”.136 Në hadithin e dytë, të cilin e ka treguar Ibn Abbasi, i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., ka thënë: “Personi i sëmurë nga një sëmundje ngjitëse mos t’i bëjë vizitë personit të shëndoshë”.137 Ai gjthashtu ka thënë: “Folni me të sëmurin nga lebroza nga një largësi sa një apo dy gjatësi shtize”.138
Lebra është sëmundje ngjitëse që shkaktohet nga rrjedhja e vrerit të zi nëpër trup, që shkakton shkatërrimin masiv të sekrecioneve të trupit, me ç’rast shkakton ndryshime fizike dhe deformim të gjymtyrëve. Në kulmin e vet, sëmundja shkakton shkatërrimin e qelbëzuar, kancerin, dhembje të padurueshme dhe dezintegrimin shkallë-shkallë të gjymtyrëve. Kjo sëmundje ndonjëherë njihet me emrin leontiasis, kurse këtë emërtim mjekët e përshkruajnë: manifestim i karakteristikave të luanit, për faktin se sëmundja në fytyrën e të sëmurit krijon një pamje si të luanit, dhe për faktin se infektimi e përfshin menjëherë secilin që kontakton me të (fytyrë për fytyrë).
Mjekët këtë sëmundje e konsiderojnë trashëguese, njësoj si edhe sëmundje infektuese të rrezikshme. Ai që i afrohet lebrozit do të ndiejë një duhmë të rëndë dhe një erë gjithashtu tepër të rëndë që shkaktojnë të vjella, e kjo është jashtëzakonisht e pështirë për personin që vuan nga çfarëdo forme e sëmundjeve pulmonale (të mushkërive).
↧
Lidhur me evitimin e infektimit (studim mbi hadithet) 1. Lebroziteti (lebra ose gërbula)
↧