Mbrojtja nga mësyshi:
Duhet patjetër që çdokush kur shikon diçka që e mahnit, të thotë “masha Allah” në mënyrë që mos ta marrë mësysh atë gjë. Por është për të ardhur keq që, këtu në Shqipëri, shumica e njerëzve nuk e përdorin asnjëherë këtë fjalë ose e përdorin shumë rrallë. Jo vetëm kaq por shume prej njerëzve i përfshin zilia dhe hasedi sa herë që shikojnë dikë tjetër që ka diçka më të mirë sesa ai. Kjo ndodh për shkak të besimit të dobët ose mosbesimit të tyre.
Ja disa shkaqe për t’u ruajtur nga mësyshi:
Është i domosdoshëm kërkimi i mbrojtjes së Allahut nga e keqja e mësyshit dhe hasedit gjatë gjithë kohës e sidomos kur takon dikë që njihet për mësysh ose hased.
Fshehja dhe mbulimi i mirësive për shkak të së cilave mund të merret mësysh qoftë bukuria, pasuria etj.
Mbrojtja me anë të lutjeve të ndryshme, sic janë lutjet e mëngjesit dhe të pasdites, të daljes dhe hyrjes në shtëpi, para dhe pas ushqimit, para hyrjes dhe pas daljes nga banjo ose gjatë heqjes së rrobave, lutje këto të cilat i kanë lënë pas dore edhe shumica e muslimanëve.
Leximi i sures El-Bekare, El-Felek dhe En-Nas.
Dhënia e sadakasë dhe lutja për begati në çdo mirësi që të ka dhënë Allahu.
Largimi nga haramet, nga vetëkënaqësia dhe përçmimi i të tjerëve.