Image may be NSFW.
Clik here to view.
Këshilla për atë që ka rënë mësysh dhe për atë që ka rënë në grackat e magjistarëve
Të jeshë i vetëdijshëm se kjo është një sprovë për ty dhe nëse bën durim, i kushtohesh Allahut dhe respekton ligjet e Tij, përfundimi i kësaj prove për ty do të dalë për mirë. Të mos harrojme se magjia është një sëmundje si të gjitha sëmundjet e tjera dhe si e tilla ajo është një bela e cila duhet kaluar me durim dhe mbështetje të plotë në Allahun. Siç dihet, kjo botë për njeriun është provë. Kështu, jeta dhe vdekja, shëndeti dhe sëmundja, pasuria dhe varfëria janë sprova të kësaj bote. Zoti thotë në Kuran:
“Çdo njeri do ta shijojë vdekjen. Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe të mirë dhe te Ne do të ktheheni” [el Enbija: 35].
Kurrësesi mos mendo që sprova është keq për ty, se në këtë mënyrë ndihmon armiqtë e tu, smirëziun dhe magjistarin e bashkpunëtorët e tij prej shejtanëve. Por përkundrazi duhet të ecësh me bindjen se Allahu do të mirën për ty, se Ai do që ti t’i mposhtësh armiqtë e tu, se Ai do që t’i të fitosh xhenetin, ku lumturia është e plotë dhe e gjithanshme. Kjo botë nuk do të kishte kuptim pa sprova: pa ekzistencën e të mirës dhe të keqes, besimit dhe mosbesimit, mirënjohjes dhe mosmirënjohjes, durimit dhe panikut, sëmundjes dhe shëndetit etj, gjëra këto të cilat shprehin bukurinë e madhështinë e krijimit, si dhe urtësinë e lavdinë e Krijuesit, prandaj mos ji prej atyre që humbin durimin kur sprovohen, se në fakt në këtë botë çdo njeri ka ardhur për t’u sprovuar, as prej atyre që nuk falenderojnë Allahun për të mirat që u ka dhënë. Allahu thotë:
“Njeriu nuk lodhet kurrë duke kërkuar të mirën, por, nëse e godet e keqja, ai menjëherë bie në dëshpërim dhe humb shpresën. Nëse pas fatkeqësisë, Ne i japim atij që të shijojë nga mirësitë Tona, ai me siguri, do të thotë: “Këtë e meritoj! Unë nuk besoj se do të vijë Kiameti, por, edhe nëse kthehem tek Zoti im, sigurisht që Ai do të më japë shpërblim më të mirë”. Në të vërteë, Ne do t’i njoftojmë mohuesit për atë që kanë bërë dhe do t’i bëjmë të vuajnë një dënim të ashpër”. Fussilet: 49-50].
Të pranosh faktin se sëmundja të ka prekur me caktimin e Allahut dhe të jesh i bindur se Allahu do të mirën për ty. Kjo do të të ndihmonte për kalimin e vështirësive dhe do të ishte një hap drejt shërimit, me lejen e Allahut. Në të kundërt, nëse nuk e pranon se kjo gjë të ka ndodhur me caktimin e Allahut dhe nuk bën durim, rrezikon të vuash më shumë, gjë që mund të shkatërrojë dhe jetën e të ardhmen tënde, pasi në këtë mënyrë i je përgjigjur ngacmimeve e tundimeve të shejtanit. Mjekësia bashkohore pohon se çrregullimet psikike kanë ndikim të madh në trupin e njeriut. Besimi në caktimin e Allahut është një faktor që të jep qetësi shpirtërore, gjë e cila është shumë e rëndësishme për ta kaluar këtë situatë të vështirë. Për më tepër që besimi se gjithçka është paracaktuar nga Allahu të bën optimist se do të shërohesh dhe do ta kalosh këtë problem, pasi Allahu i Cili të ka sprovuar me këtë sëmundje, po Ai ta largon atë. Shpresa dhe besimi se do të shërohesh, me mirësinë e Allahut, kanë ndikim të padiskutueshëm në përmirësimin e gjendjes tënde shpirtërore, psikike dhe trupore.
Të besosh fort te Allahu dhe në botën tjetër. Të mbështetesh vetëm te Allahu, të besosh se vetëm Allahu ta largon të keqen, se vetëm Ai të shëron, se vetëm Ai t’i sjell të mirat. T’i lutesh vetëm Allahut dhe të kërkosh shërim, mirësi e lumturi vetëm nga Allahu. Në të kundërt, nëse beson tek tyrbet e të ashtuquajturat vende të mira dhe kërkon prej tyre shërim apo të mira, i ke bërë shok Zotit dhe je bërë mik i shejtanit. Zoti thotë:
“Kush merr shejtanin për mbrojtës në vend të Allahut, ai ka pësuar një humbje të qartë. Ai (shejtani) u premton atyre dhe i josh me shpresa, por ato që premton shetjani, janë vetëm mashtrime” [En Nisa: 116- 121].
Me këtë besim jo vetëm që nuk gjen shërim, por bëhesh edhe më keq. Nëse vdes me një besim të tillë, vuan dënimin e zjarrit të xhehenemit. Kjo sepse krijuesi, furnizuesi, shëruesi dhe dhuruesi i të mirave është vetëm Allahu, kështu që këto vepra janë vetëm atribute të Allahut. Këto gjëra kërkohen vetëm prej Allahut. Nëse njeriu ia atribuon ato dikujt a diçkaje tjetër veç Allahut, ose i kërkon ato nga diçka tjetër veç Allahut, ai i bën shok Atij (Allahut). Shokvënia ndaj Allahut është gjynahi më i madh. Zoti thotë:
“Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe”. [Lukman:]
E ardhmja është në dorë të Allahut, andaj nuk duhet të merakosesh për të, pasi merakosja e tejskajshme për të ardhmen të shkakton fiksime, obsesione, pasiguri, dhe parandjenja të këqija, po ashtu të bën objekt të ngacmimeve të shejtanit, e për pasojë bëhesh i pakënaqur me të mirat që zotëron dhe me kushtet ku jeton. Është e natyrshme që njeriu të interesohet e të përgatitet për të ardhmen, pasi interesimi për të ardhmen është tregues intelekti, por problem është kur mendon vetëm mbi të ardhmen dhe merakosesh shumë për të. Përderisa Allahu ia ka caktuar çdo njeriu mjetet e jetesës dhe afatin e jetës në këtë botë, atëherë për një besimtar në Zotin dhe në botën tjetër nuk ka arsye përse ta brengosë e adhmja.
Ndonjëherë sëmundja mund të jetë edhe fizike edhe shpirtërore, në kuptimin që shejtani ndikon në një sëmundje të caktuar duke bërë që të rëndohet e të bëhet më e mundimshme e më shqetësuese. Në këtë rast do të ishte e mira të bashkoje mes leximit të Kuranit i cili duhet të jetë baza e mjekimit dhe mes ilaçeve mjekësore. Kështu, krahas leximit dhe dëgjimit të Kuranit merr edhe mjekimin e nevojshëm tek mjeku.
Përpiqu ta shfrytëzosh kohën në maksimum me punë të dobishme e të mira, sepse të bërit e një jete sedentare çon deri ne sëmundje psikike dhe shpirtërore. Ndjenjat e merakut, smirës dhe frikës zgjohen vetëm gjatë qendrimit kot. Për t’i kapërcyer këto probleme sa më shpejt duhet ta mbushësh kohën e lirë me punë të dobishme, si përmendja e Allahut, lutja, leximi i Kurani, punë për sigurimin e mjeteve të jetesës etj.
Sillu mirë me njerëzit, trajtoji ata me paanshmëri, mos gjurmo gabimet e tyre dhe nëse gabojnë përpiqu t’i justifikosh nëse është e mundshme. Kjo të bën të hapur dhe të qetë shpirtërshit, çka bën që shejtani të mos ketë shteg të të shqetësojë.
Shikoje të ardhmen me optimizën dhe sill në mendje mirësitë dhe bukuritë që të ka dhënë Allahu, si dhe anët pozitive të jetës.
Mos mendo mbi sëmundjen, por përpiqu të bashkëjetosh me të, pasi kjo do ta bëjë sëmundjen të parëndësishme në jetën tënde dhe do ta kapërcesh me lehtësi. Fjala vjen, nëse ke dhimbje të vazhdueshme koke, krahas leximit të Kuranit dhe të dhikrit konsideroje këtë dhimbje si diçka që je krijuar me të. Kështu, do të mësohesh me dhimbjen, do të ndjesh qetësi shpirtërore dhe dhimbja do të largohet në mënyrë spontane. Kjo që thashë është e provuar, pasi mendimi mbi sëmundjen e përkeqëson atë.
Të heqësh, të prishësh e të djegësh nuskat dhe hajmalitë që mban vetë apo që i mban ndonjë tjetër nga familja jote. Po ashtu të heqësh çdo gjë që është vënë për mbrojtje nga mësyshi ose magjia, siç janë vargjet e hurdhave, patkonjtë etj, pasi këto gjëra janë shirk (shokvënie ndaj Allahut). Gjëra të tilla jo vetëm që nuk të mbrojnë nga xhindët, magjia e smirëkeqët, por bëjnë që të vuash dhe të jeshë pre e tyre. Pejgamberi a.s ka thënë se kush varë nuskë, i ka bërë shok Allahut.
Të mos shkosh tek tyrbet, tek të ashtuquajturat vende të mira, tek magjistarët e të ashtuquajturit njerëz të mirë dhe të mos lejosh askënd që të shkojë për ty tek vende ose njerëz të tillë, se në të kundërt do të shkatërrosh të ardhmen tënde si për këtë botë edhe për botën tjetër, përveç nëse më vonë pendohesh.
Të mësosh avdesin dhe namazin nga libri “rruga e muslimanit” apo çfardo libri tjetër dhe të falesh rregullisht pesë herë në ditë. Namazi është dritë për besimtarin, është qetësi për shpirtin, është shpëtim nga telashet e botës së këtushme dhe botës tjetër. Shejtani nuk mund të ketë pushtet mbi namazlinë e rregullt, andaj nëse do që të shpëtosh prej tij, drejtohu Allahut, duke falur namaz pesë herë në ditë. Njeriu është krijuar me prirje të natyrshme për t’ju nështruar e për të adhuruar medoemos diçka, çka do të thotë se ai: ose do të adhurojë Allahun, ose ndonjë krijesë. Përmes namazit muslimani shpreh nështrimin dhe përuljen ndaj Allahut në formën më të plotë, ndërkohë që ata të cilët nuk falin namaz medoemos janë të nështruar ndaj diçkaje tjetër veç Allahut. Shumë të sëmurë, të cilëve nuk u bënin dobi ilaçet, mbasi filluan të falnin namaz e t’i luteshin Allahut gjatë namazit, u shëruan.
Të heqësh dorë menjëherë nga gjynahet, si konsumimi i alkoolit, imoraliteti, kundërshtimi i prindërve, veshjet ekstravagante etj.
Të bësh dhikrin ditor, duke e lexuar rregullisht nga libri ‘mburoja e muslimanit’.
Të lexosh e të dëgjosh sa më shumë Kuran dhe të këshillosh edhe familjen që të bëjën të njëjtën gjë. Një dijetar thotë: “Ilaçet hyjnore janë mënyra më e dobishme për prishjen e magjisë. Pikërisht ato janë ilaçet që japin efekt për prishjen e magjisë, pasi mënjanimi i ndikimeve të shpirtrave të këqinj e të ulët, arrihet me anë të ajeteve dhe dhikreve të cilët u bëjnë ballë dhe ua prishin ndikim. Sa më e fortë të jetë përballja e rezistenca me anë të ajeteve e dhikreve, aq më shumë efekt do të japin për prishjen e magjisë. Kjo është njësoj si përballja e dy ushtrive, ku secila ushtri ka përgatitjen dhe armët e veta: ushtria që bën rezistencë më shumë e mposht ushtrinë tjetër dhe merr pushtetin. Po kështu kur zemra është e mbushur me besim në Allahun, e ndjen madhërinë e Tij, është e lidhur me Të dhe rregullisht i drejtohet Atij, i bën lutje, i bën dhikër dhe i kërkon mbrojtje, duke shprehur me gojë atë që gjendet në zemër, kjo do të ishte shkaku më i fortë për parandalimin e prekjes nga magjia dhe ilaçi më i efektshëm për prishjen e saj pas prekjes”.
Shkeputur nga libri “Sëmundjet shpirtërore”
Perktheu Ismail Bardhoshi.