Quantcast
Channel: Mjeksia Profetike – Mjeksia Islame
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2650

Fuqia e imagjinatës

$
0
0
By: Dr Velid Fetihi
Fuqia e imagjinatës

Truri nuk mundet dot ta dallojë të vërtetën nga imagjinata. Po, truri si një mekanizëm që merr informacione dhe i shndërron në një imazh mendor, nuk e bën dot dallimin e informacioneve që merr e që shihen me sy, dhe informacioneve që merr nëpërmjet imagjinatës.

Ky konkluzion është arritur falë qindra eksperimenteve të ndryshme nga ana e psikologëve klinikë. E çuditshme është se në çdo eksperiment, rezultatet ishin shumë të përafërta.

Në një eksperiment, u mor një numër i caktuar basketbollistësh dhe u përcaktua saktësia e shënimit të koshit për secilin prej tyre. Mandej, basketbollistët u ndanë në mënyrë rastësore në tre grupe.

Grupit të parë iu kërkua që të ushtrohej për goditjet e lira disa orë në ditë.

Grupit të dytë iu kërkua që të mos ushtrohet aspak.

Grupit të tretë iu kërkua që çdo ditë, për disa orë, të ushtroheshin për goditjet e lira por me imagjinatë, jo fizikisht.

Pas kohës së caktuar, u pa që grupi i parë kishte shënuar përmirësim të dukshëm.

Grupi i dytë nuk kishte shënuar as dhe një përmirësim, siç dhe pritej.

Ndërkohë që grupi i tretë, në mënyrë të paparashikuar, kishte shënuar një përmirësim pak a shumë të ngjashëm me grupin e parë që ishte ushtruar fizikisht.

Si ndodhi kjo?

Para se ti përgjigjemi kësaj pyetjeje, po sjell një rast tjetër shumë të njohur, që e përforcon eksperimentin e lartpërmendur.

Bëhet fjalë për historinë e pilotit ushtarak Xhorxh Hall, i cili u zu rob nga luftëtarët vietnamezë gjatë luftës mes SHBA dhe Vietnamit. Ai u izolua në një ambient të ngushtë dhe krejtësisht të errët, ku qëndroi shtatë vite. Çdo ditë, piloti imagjinonte sikur po luan golf për të shtyrë kohën dhe që të mos humbasë mendjen në këtë burg të errët. Vetëm një javë pasi u shpëtua nga shokët e tij, ai merr pjesë në një kampionat botëror të golfit dhe zuri një vend shumë të rëndësishëm mes fituesve.

Ajnshtajni thoshte:”Aftësia për të imagjinuar është më e rëndësishme sesa informacionet e shumta.”

Mu për këtë, ata njerëz të cilët arrijnë ti ushqejnë mendjet e tyre me imazhe dhe ide pozitive, arrijnë suksese shumë herë më shumë sesa ata që i dorëzohen aktualitetit negativ dhe e kalojnë shumicën e kohës duke menduar rreth gjërave negative.

Në librin “Avantazhi i lumturisë”, autori saktëson gabimin e besimit tradicional se njeriu punon, këmbëngul dhe lodhet për të korrur sukses dhe arritje, që të ndjehet i lumtur. Ai thotë se e kundërta është e saktë, gjë të cilën e kanë vërtetuar shkrime e studime në universitetin e Harvardit dhe mbi dyqind studime në rang ndërkombëtare, të cilat kanë përfshirë një kampion prej më se 270 mijë personash.

Thënë ndryshe, kur jemi të lumtur dhe e shohim jetën me pozitivitet, ne kërkojmë imazhet pozitive që na rrethojnë dhe e ushqejmë trurin me këto imazhe. Truri i merr si të ishin realitet, gjë e cila rrit prodhimin e hormonit të dopaminës, i cili ka dy funksione: I pari, rrit nivelin tonë të lumturisë, gjë e cila për rrjedhojë rrit aktivitetin dhe energjitë tona. I dyti, na bën më të zgjuar dhe më të aftë për ti dalluar shanset dhe shfrytëzuar ato.

Me këtë rast, më vjen ndër mend thënia e Ibnu Tejmijes, i cili thotë:”E çfarë të më bëjnë armiqtë? Parajsa ime e vërtetë gjendet në zemrën time, kudo që të shkoj, më ndjek pas. Burgosjen time e shoh si shans për tu vetmuar me Zotin, internimin e shoh si turizëm, kurse ekzekutimin e shoh si martirizim.”

Të gjitha arritjet e mëdha, e kanë zanafillën atje, larg syve, në mendjen e njeriut, në imagjinatën e tij, të cilën truri e sheh si diçka të vërtetë dhe aktuale. Nëse zemra e beson si një të vërtetë të pakontestueshme, do të përmbushet.

Një i mençur thotë:

Bëj kujdes me mendimet e tua sepse shumë shpejt shndërrohen në vepra.

Bëj kujdes me veprat e tua sepse shumë shpejt shndërrohen në vese.

Bëj kujdes me veset e tua sepse shumë shpejt shndërrohen në karakter.

Bëj kujdes me karakterin tënd sepse ai përcakton të ardhmen tënde.

 

 

Përktheu: Elmaz Fida


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2650


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>