Këto dy qëndrime shpirtërore dhe shumë ndikuese në jetë, janë të përhapura anekënd njerëzimit. Disa janë optimistë të mëdhenj aq të skajshëm saqë cilado përpjekje për t’ua shuar këtë optimizëm është e kotë, në anën tjetër gjejmë pesimistë – fatkeqësisht në numër më të madh – të mëdhenj, të cilët kanë humbur çdo shpresë se do të bëhet mirë, këta asnjëherë nuk shohin të bardhën.
Në besimin tonë këto dy qëndrime trajtohen me termet shpresë dhe frikë. Këto janë thelbi i çdo lëvizje dhe aktiviteti. Çdo gjë që njeriu vepron apo lë, atë e bën me shpresë për diçka apo nga frika prej diçka. A thua vallë, cilës duhet dhënë përparësi, shpresës apo frikës?
Një grup dijetarësh thonë se frikës duhet dhënë përparësi, sepse frika do ta pengojë nga rënia në gjynahe, e pastaj do të bëjë vepra të mira.
Të tjerë thonë se shpresa ka përparësi, sepse kjo e bën njeriun optimist ndërsa Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, i pëlqente optimizmi.
Një mendim shumë i bukur thotë: Kur bën mirë i jep përparësi shpresës, sepse Ai që ta mundësoi të bësh punë të mira, sigurisht nuk do ta asgjësojë mundin. Ndërsa kur bën keq i jep përparësi frikës, frikës nga dënimi i Allahut dhe nga të këqijat që pasojnë njëra pas tjetrës.
Mirëpo, qëndrimi më i drejtë është ajo që ka thënë Imam Ahmedi, me të cilin pajtohen shumica dërrmuese e dijetarëve, ai thotë: “Shpresa dhe frika që ka besimtari duhet të jetë në një shkallë, cilësdo i dha përparësi, atëherë shkatërrohet”. Pra, shpresa dhe frika le të jenë si dy krahët për shpendin, i cili nëse nuk i ka krahët të barabartë do të bjerë përtokë.
Nga argumentet që na nxitë të kemi frikë është ajeti që i përshkruan besimtarët: “Ata që japin atë që e japin (sadaka, zeqatë) ndërsa zemrat i kanë përplot frikë sepse do të kthehen te Zoti”, këta kanë frikë nëse vepra e tyre do të pranohet apo jo. Ndërsa prej argumenteve që na nxitë të kemi shpresë është fjala e Allahut në hadithin kudsij: “Unë sillem ndaj robit Tim ashti siç ai supozon për Mua, kurse Unë jam me të kur ai më përmendë”. Ky hadith është ndër argumentet më shpresëdhënëse, shumë e lehtë: dëshiron të përjetosh çdo të mirë nga Mbreti i Qiejve dhe Tokës, atëherë mendo mirë për Allahun, mos kujto se Allahu do të lë pa mbrojtje, mos mendo se Allahu e do të keqen për ty, mos mendo se Allahu e dëshiron xhehenemin për Ty. Kur ta arrish këtë, atëherë do të kesh një shpirt të madh, të lidhur për Allahun, i cili do ta mundësojë të jesh i sinqertë dhe punëmirë.
Frika dhe shpresa nuk ndalojnë vetëm te mendjet dhe veprat tona, ato kanë vendin e tyre edhe në gjërat që na rrethojnë, në ndodhitë e mira dhe ato të liga. E gjithë bota Islame u gëzua me gjestin heroik të kryeministrit të Turqisë, Tajjib (arabisht: i mirë) Erdogan, i cili në Davos të Zvicrës qortoi hapur Shimon Perezin për masakrat në Palestinë dhe braktisi sallën. Ky gjest i tij na shton shpresën se ditët e pranverës po vijnë, por nëse shohim anën tjetër të medaljes, atëherë na paraqitet frika, çfarë bëjnë myslimanët tjerë, ku janë liderët e tyre, pse kanë kompleks nga identiteti i tyre mysliman?
Sidoqoftë, lajme të mira do të dëgjojmë edhe në të ardhmen, por edhe të këqija – shpresoj të jenë më pak – ndaj, të mos entuziazmohemi e as të emocionohemi, por t’i vendosim të gjitha ato midis shpresës dhe frikës, që të mos biem përtokë.
OMER BERISHA