Nga dashuria u krijua gjithçka!
Po të mos ishte dashuria nuk do të krijohej bota. Nuk do të bashkohej shpirti me trupin, drita me syrin, logjika me trurin, e as fjalët me gjuhën. Po të mos ishte dashuria nuk do ta pranonte farën toka, që të rritej lulja, trëndafili e pema. Po të mos ishte dashuria nuk do të bashkoheshin retë me njëra-tjetrën për t’ia sjell tokës shiun, që është i pastër dhe i bekuar. Po të mos ishte dashuria nuk do të mbinte në dru dega e as në degë nuk do të mbinte fruti me shijen e këndshme dhe formën e bukur. Po të mos ishte dashuria nuk do të ekzaltohej fëmija, me vargjet e këngës së të ëmës gjatë puthjes dhe përkundjes. Po të mos ishte dashuria nuk do të perëndonte dielli që të pushojnë sytë në djepin e natës, e as nuk do të ikte hëna me bukurinë e saj për të buzëqeshur dielli me rrezet e tij, plot jetë dhe dashuri. Po të mos ishte dashuria nuk do të ekzistonte as dhembshuria, loti e as pafajësia. Po të mos ishte dashuria, nuk do të na i falte mëkatet Zoti, por do e krijonte gjithësinë së koti. Nuk do të na mbulonte Ai me retë e mëshirës së Tij e në Ditën e Fundit të na fuste në parajsë, për ta parë plot dritë Fytyrën e Tij. Nga dashuria i krijoi botët, e jo nga nevoja. Nga dashuria u krijua gjithçka.
Agron Islami