Shtatë vjet pas Hixhres, pas marrëveshjes së paqes në Hejber, me të cilën marrëdhëniet hebraito-myslimane u kthyen në gjendje normale, hebraikja nga Hejberi me emrin Zejneb bint Haris e kishte pjekur një dele dhe ia kishte sjellë dhuratë të Dërguarit të All-llahut , s.a.v.s. Lidhur me këtë çështje, Abdu-Rrahman bin Ka’b bin Maliku kishte shënuar se i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., ishte ulur ta hante së bashku me ashabët. Pranë tij ishte ulur Bishr ibn el-Bera’, i cili, pasi kishte hëngër kafshatën e parë, i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., ishte ngritur në këmbë menjëherë dhe kishte thënë: “Ndalni atë grua!”. Kur e kishin sjellë para tij, ai e kishte pyetur: “A e ke helmuar këtë dele?” Ajo ishte përgjigjur: “Kush të tha?” Duke mbajtur në dorë një copë të cilën kishte filluar ta hante, ishte përgjigjur: “Më tha kjo këmbë”. Pasi gruaja e pranojë krimin e vet, tha: “Mendova se, nëse je gënjeshtar, kjo do të të shkaktonte fundin tënd, por nëse je i Dërguar i vërtetë, ajo nuk do të të bënte asnjë dëm”. Pastaj i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., e kishte liruar atë grua të shkonte në punë të vet. Pastaj kishte bërë tri ditë flebotomi dhe u kishte thënë ashabëve të vet të bëjnë si ai. Mirëpo, një kafshatë që e kishte hëngër Bishri kishte qenë fatale (vdekjeprurëse).119
Në një transmetim tjetër është thënë se një ashab me emrin Ebu Hind nga Medina i kishte bërë flebotomi në pjesën e sipërme të shpinës së të Dërguarit të All-llahut , s.a.v.s., dhe ia kishte lëshuar gjakun në një kupëz, duke ia prerë venën sipërfaqësisht . Ky helm e kishte përfshirë tërë trupin e tij, kurse tre vjet më vonë, në kohën sa zgjati sëmundja e tij e fundit, i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., kishte thënë: “Edhe tani vuaj nga pasojat e helmit të mishit të deles që e kam ngrënë në Hejber”.120
Helmimi me ushqim ndodh për shkak se njeriu ha substanca kimike helmuese ose mikroorganizma dhe toksinet e tyre. Ka shumë lloj shërimesh nga helmimi me ushqim. Gjithmonë dhe më së miri është që të kërkohet ndihma e parë. Megjithatë, mjekët e trajtojnë çdo rast të helmimit me ushqim në përputhje me llojin, substancën dhe sasinë e ushqimit të helmuar që është ngrënë, natyrisht nëse dihet. Ky shërim kryesisht kryhet me disa lloje purgativësh agresivë, duke nxitur të vjellat, duke bërë detoksifikimin, me hematokatarzë, duke pastruar lukthin dhe traktin intestinal, si dhe duke pirë antidotin ose kundërhelmin121 adekuat dhe ilaçe pas përmirësimit, kur trajtimi është kryer menjëherë dhe varësisht nga suksesi i tij.
Nëse i helmuari nuk mund të trajtohet menjëherë nga mjeku, atëherë ai duhet të nxitet të vjellë menjëherë, të bëjë purgacionin, kurse trajtimi më i mirë në kohën e të Dërguarit të All-llahut , s.a.v.s., në rrethana të këtilla, ka qenë lëshimi i gjakut me anë të flebotomisë. Kur helmimi me ushqim ndodh në vise të nxehta dhe në stinën e nxehtë, atëherë helmi përhapet shpejt në sistemin e individit me anë të qarkullimit të gjakut dhe shpërndahet nëpër vena e arterie për të arritur më në fund në zemër. Pasi të arrijë në zemër, pasoja është e kobshme. Pra, gjaku është medium që e bart helmin deri te zemra dhe në pjesë të tjera të paprekura të trupit. Viktima e helmimit me ushqim duhet të shpejtojë për ta nxjerrë nga trupi sa më shpejt toksinin vdekjeprurës, e sidomos me anë të lëshimit të gjakut, sepse ky proces do ta nxjerrë jashtë gjakun e helmuar dhe bashkë me të edhe mjaft helm, i cili tashmë ka depërtuar në qarkullimin e gjakut. Nëse zbatimi i këtij procesi kryhet me sukses, ndërsa purgacioni bëhet i plotë dhe shpejt, helmi nuk do të shkaktojë pasoja fare ose fare pak. Në këtë kuptim, helmi ose do të nxirret plotësisht, ose do të pengohet veprimi i tij i mëtejshëm.
Kur i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., e ka përdorur flebotominë në pjesën e sipërme të shpinës, ku shpatullat (Scapula) janë më së afërmi me zemrën, në vendin ku mund të bëhet flebotomia, helmi është mënjanuar vetëm pjesërisht, ndërsa efektet e tij janë reduktuar në një vuajtje të lehtë nga e cila i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., ka vuajtur tri vjet pas helmimit. Në urtësinë e Vet të hollësishme, All-llahu i gjithëfuqishëm e kishte qëllim që ta shpërblejë të Dërguarin e Vet me post të bekuar dhe të nderuar të martirit, “…në mënyrë që All-llahu të plotësojë atë që është dashur të ndodhë…(El Enfalë, 42) Ky shpjegon gjithashtu rëndësinë e fjalëve që All-llahu ua kishte drejtuar hebrenjve në Kur’an, ku thotë:
“…E sa herë që u erdhi ndonjë i dërguar me çka nuk u pëlqeu juve, a nuk u bëtë kryelartë dhe disa prej tyre i përgënjeshtruat e disa i mbytët!” (El Bekare, 87)
Në fund të versetit All-llahu i gjithëfuqishëm e ka përdorur kohën e kaluar për foljen “përgënjeshtruat”, kurse kohën e tashme për foljen “i mbytët”, duke përfshirë të Dërguarin, ardhja e të cilit dihej në shkrimet e tyre, e të cilin e pritën në atdheun e tyre. All-llahu e di më së miri.
↧
Shërimi nga helmimi me ushqim
↧