Esma bint ‘Umejs ka treguar se i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s. në përgjigjen që ia kishte dhënë ajo, kishte thënë: “Çka përdor si mjet për pastrimin e zorrëve (purgativ)?” Ajo ishte përgjigjur: “Unë e përdor euforbinë si purgativ dhe laksativ (mjet për zhbollkim)”. Ai i kishte thënë: “Kjo është tejet e nxehtë dhe e fortë. Unë për vete i përdor farat e çdo bime të familjes të karminativëve (lat. Cassia)”.(1)
Bimët e euforbisë janë lloj i shkurreve të vogla ose i drurëve të vegjël të familjes së qumështoreve (lat. Euphorbiaceae). Trungu mund t’i rritet deri në lartësinë 180 cm, në viset e nxehta tropikale, dhe përmban drogë tejet helmuese dhe të rrezikshme.
Degët e drurit të euforbisë janë të kuqe me shkëlqime të pjesërishme të ngjyrës së bardhë. Gjethet shpatuke formojnë kalavesh kupor në majat e degëve të tyre. Gjethet të bardha në të verdhë janë të vogla kur bien dhe ato lënë pas veti pejëza të vogla që bartin në vete thekun në formë topi, që mban në vete fara të imëta të kuqe, të cilat ngjajnë me frutat në miniaturë të drurit të terpentinës. Këto fara të kuqe të imëta janë të mbështjella përbrenda me mbështjellës të hollë mbrojtës. Këta mbështjellës të kuq e të hollë, që mbrojnë pejëzat, përdoren për qëllime mjekësore njësoj sikurse lëngu i bardhë qumështor i bimës, i cili nxirret nga degët.
Fara e euforbisë është e nxehtë dhe e thatë në shkallën e katërt. Ajo ndihmon detoksikimin e vrerit, ndihmon rrjedhën e mukusit dhe të vrerit të kuq, ndihmon në pastrimin e lëngjeve të dendura të lukthit dhe depërtimin e vrerit të verdhë të paformuar.
Euforbia përdoret si purgativ ose si ilaç laksativ për stimulimin e kalimit dhe hedhjes së fecesit. Euforbia është laksativ i fortë. Ajo rrit aktivitetin e zorrëve nëpërmes iritimit lokal të membranave mukoide dhe ndihmon në zbutjen e masës fekale nëpërmes ndihmesës së pastrimit të zorrëve.
Kur euforbia përdoret si laksativ ose si mjet për lyrje, fara e saj duhet të qëndrojë 24 orë në qumësht, kurse qumështi duhet të ndahet dhe të zëvendësohet dy deri tri herë. Pastaj fara hiqet dhe thahet në hije, përzihet me disa lloje trëndafilash të bluar, dhe pihet si lëng i përzier me ujë të ëmbëlsuar me mjaltë, ose me lëngun e rrushit. Përzierja nuk duhet të përmbajë më tepër se dy danikë (davanikë). (2)
Si ilaç, euforbia ka shije të pakëndshme, ndërsa mbidozimi mund të jetë i rrezikshëm, bile i kobshëm (vdekjeprurës). Për këtë shkak shumica e fitoterapeutëve e kanë ndërprerë përdorimin e saj. Hunejni për të ka thënë: “Sa i përket qumështit të euforbisë, ai është i rrezikshëm dhe famaceutët popullorë kanë mbytur shumë veta duke ua dhënë si ilaç”.
1. Thirmidhi, 2802; Ibn Maxhxhe, 3461; da’if.
2. Arab. danik: 1 danik = 1,04-2,08 g (varësisht nga fuqia e nevojshme)
MJEKËSIA E PEJGAMBERIT MUHAMMED
Përktheu nga boshnjakishtja
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi